Ronaldo, afër ta thyejë rekordin e Casillasit në Ligën e Kampionëve

  • 14 August 2019 - 14:50
Ronaldo, afër ta thyejë rekordin e Casillasit në Ligën e Kampionëve

Portieri i Portos, i cili nuk është kthyer ende në skuadër pasi pësoi sulm në zemër në maj, nuk do të luajë në Ligë të Kampionëve këtë sezon. Për këtë arsye, atij mund t’i mbeten 177 paraqitje në Evropë.

Eliminimi i Portos nga Liga e Kampionëve, kundër Krasnodar, mund ta ketë sjellë fundin e ecurisë së Iker Casillasit në këtë turne, pasi që spanjolli s’do të garojë në këtë edicion për herë të parë pas 20 vjetësh.

Casillasi e mban rekordin për më së shumti paraqitje në Ligën e Kampionëve, mirëpo tani Cristiano Ronaldo e ka rastin t’i afrohet këtij rekordi.

Casillasi i ka bërë 177 paraqitje në Ligën e Kampionëve, duke mos i përfshirë këtu ndeshjet kualifikuese. Asnjë futbollist nuk ka bërë më shumë paraqitje se ai, as në formatin aktual të Ligës së Kampionëve e as në Kupën Evropiane.

Ish-portieri i Real Madridit ka luajtur në secilin sezon të kësaj gare për 20 vjetët e fundit, pasi e bëri debutimin e tij në sezonin 1999/’00, duke e fituar trofeun tri herë me gjigantin e La Ligës dhe duke arritur në fazën eliminatore plot 19 herë.

Tani që Porto nuk do të garojë në këtë garë, rekordi i Casillasit rrezikohet nga Cristiano Ronaldo, i cili deri më tani i ka bërë 162 paraqitje në Ligën e Kampionëve. Ronaldo dhe Lionel Messi (135) janë të vetmit futbollistë në Top 10 dhjetëshe me më së shumti paraqitje në Champions që janë ende aktivë në futboll.

Nëse Juventusi e fiton trofeun këtë sezon dhe Ronaldo luan në secilën ndeshje deri në finale, ai do t’i grumbullojë 175 paraqitje, vetëm dy më pak sesa Casillasi. 

(Kosova Sot Online)