Legjenda e Barcelonës: “Nuk është tradhti nëse Neymar shkon në Real Madrid”

  • 15 August 2019 - 11:06
Legjenda e Barcelonës: “Nuk është tradhti nëse Neymar shkon në Real Madrid”

Transferimi i mundshëm i Neymar te Real Madrid nuk do të ishte “tradhti” për Barcelonën, thotë Rivaldo, por preferon që braziliani të rikthehet në “Camp Nou”.

27-vjeçari është i vendosur që të largohet nga Paris Saint-Germain, Real Madridi ose Barcelona pritet të jenë destinaconi i mundshëm i Neymar.

“Ka pasur shumë thashetheme se cili nga klubet po negocion për Neymarin – Real Madrid apo Barcelona”, tha Rivaldo. “Ai është lojtar i mrekullueshëm, çdo ekip do të përfitonte nëse do ta kishte në skuadër”.

“Natyrisht, unë preferoj që ai të kthehet te Barcelona, por nëse përfundon në Real Madrid, do të jetë gjithashtu lëvizje e madhe për të”.

“Tani për tani, është e qartë se lojtari dëshiron të largohet nga PSG. Dy klubet spanjolle e duan atë dhe për këtë, ai është edhe më i etur që të largohet nga Parisi”.

“Nëse Zinedine Zidane e transferon Neymarin në Real Madrid, nuk do ta shihja si tradhti. Neymar la Barcelonë për PSG-në dhe tani mund të fluturojë për Madrid, nuk është njëjtë sikur nëse do ta kishte lënë Barçën për Madridin”.

(Kosova Sot Online)