“Pogba mund të bëhet mesfushori më i mirë në botë”

  • 16 August 2019 - 09:23
“Pogba mund të bëhet mesfushori më i mirë në botë”

Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Gary Pallister, beson se Paul Pogba e ka potencialin për t’u bërë mesfushori më i mirë në botë, nëse talenti i tij shfrytëzohet në mënyrë të duhur.

Pas shumë muajve spekulimesh që e lidhën 26-vjeçarin me një largim nga “Old Traffordi”, Paul Pogba ishte titullar në ndeshjen e parë të sezonit të ri të “Djajve të kuq” dhe ishte mbresëlënës në fitoren 4:0 kundër Chelseat.

Fituesi i Kupës së Botës 2018 i asistoi dy golat e fundit të Manchester Unitedit të dielën. Mirëpo, të gjithë vëmendjen e mori pasimi mbresëlënës i tij për golin e dytë të Marcus Rashfordit në atë ndeshje.

Paraqitja e Pogbas e la Pallister pa asnjë dyshim se francezi është shumë i talentuar, por se ai duhet të luajë me mendjen e qetë për ta arritur maksimumin e potencialit të tij.

“Topi që ai e gjuajti për Rashfordin, lëvizjet dhe krijimi i golit të Daniel James; ky është Paul Pogba që ne dëshirojmë ta shohim”, ka thënë Pallister në një intervistë të dhënë për AmericanGambler.com.

“Nëse ju mund ta nxjerri më të mirën nga ai, atëherë ai është njëri ndër mesfushorët më të mirë në botë, nëse jo më i miri”.

“Gjithçka varet nga Pauli, nga çka beson ai dhe çka dëshiron të bëjë. Nëse nuk është i lumtur në Manchester Unitedi, atëherë trajneri Ole Gunnar Solskjaer ka thënë se ai i do në skuadër vetëm lojtarët që luajnë për fanellën, që ëndërrojnë të luajnë për fanellën”. 

(Kosova Sot Online)