FFK-ja anulon kartonët e verdhë të mbartur nga kampionati i kaluar

  • 16 August 2019 - 12:54
FFK-ja anulon kartonët e verdhë të mbartur nga kampionati i kaluar

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, në mbledhjen e mbajtur në fund të korrikut, i analizoi risitë që do të aplikohen në sistemin e garave për sezonin 2019/20, veçanërisht sistemin digjital për raportim të delegatëve nga ndeshjet, përmes procesverbalit.

Edicioni i ri i Ipko Superligës po vjen me disa risi. Fillimisht, këtë sezon nga Superliga do të bien automatikisht katër klube, pasi që nga sezoni i ardhshëm në këtë ligë do të luajnë vetëm 10 skuadra, jo 12 si zakonisht.

Përveç kësaj, Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se ka marrë vendim edhe për anulimin e kartonëve të verdhë nga kampionati i kaluar.

“Anulohen të gjithë kartonët e verdhë të marrë gjatë kampionatit të kaluar, dy kartonët e verdhë për një ndeshje dhe dënimi për katër kartonët e verdhë të shqiptuar në ndeshjen e fundit”, bëri të ditur FFK-ja.

“Nuk kanë të drejtë loje lojtarë që janë nën dënim për shkak të kartonit të kuq direkt. Dënimet e tjera të shqiptuara nga komisionet respektive të FFK-së mbeten në fuqi”.

“E gjithë kjo bëhet për ta lehtësuar regjistrimin nga fillimi i të kartonëve në sistemin digjital dhe për të pasur një pasqyrë të pastër për më tutje. Megjithatë, përgjegjësinë ekskluzive për evidentimin e kartonëve dhe të drejtën e lojës e mban klubi”. 

(Kosova Sot Online)