Shaqiri paralajmëron largimin nga Liverpooli: “Jam i zhgënjyer, dua të luaj më shumë”

  • 17 August 2019 - 14:50
Shaqiri paralajmëron largimin nga Liverpooli: “Jam i zhgënjyer, dua të luaj më shumë”

Xherdan Shaqiri ka rritur spekulimet për një largim të mundshëm nga Liverpooli, në kërkim të minutave të humbur. Ai është duke kërkuar një zgjidhje. Nëse Klopp nuk i garanton minuta, do të tentojë t’i gjejë diku tjetër.

Ai arriti në “Anfield” në vitin 2018 dhe fillimisht ishte shumë i dashur nga Jurgen Klopp, por në vitin 2019 gjërat ndryshuan rrënjësisht dhe Shaqa nuk arriti të gjejë shumë hapësirë, madje as nga stoli.

Ai bëri 30 paraqitje në total dhe në fund e fitoi Ligën e Kampionëve me “Redsat” për herë të dytë në karrierë, pasi e kishte fituar edhe me Bayern Munich.

Shaqiri startoi vetëm në 11 ndeshje në Premierligë, diçka që e ka shqetësuar atë dhe në njëfarë mënyre e ka paralajmëruar se edhe këtë sezon, mund të mos ketë shumë minuta – andaj deri në fund të merkatos ka dhënë sinjale se gjithçka mund të ndodhë.

Për situatën e tanishme, Shaqa është i zhgënjyer dhe thotë se është duke shikuar një zgjidhje.

“Jam i zhgënjyer që nuk po luaj më”, u shpreh ai.

“Askush nuk dëshiron të qëndrojë në stol. Është e qartë se dua të luaj më shumë”.

“Duhet të shikoj situatën dhe të gjej një zgjidhje”, shtoi ai.

Raportohet se Monaco e Galatasaray janë duke u interesuar për 27-vjeçarin, por Shaqa nuk di asgjë për ndonjë ofertë konkrete.

“Nuk ia kam idenë nga kanë ardhur këto fjalë. Nuk di asgjë për këto oferta”.

(Kosova Sot Online)