“Suarezi do të kthehet në Ajax”

  • 17 August 2019 - 19:31
“Suarezi do të kthehet në Ajax”

Legjenda e Ajaxit, Sjaak Swart, pretendon se sulmuesi uruguaian i Barcelonës, Luis Suarez, dëshiron të kthehet në Ajax para se t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist.

Uruguaiani i kishte kaluar katër vjet me kampionët holandez në fillim të karrierës së tij, duke i shënuar 111 gola dhe duke e fituar një titull të Eredivisie, para se të kalojë në Liverpool në vitin 2011.

Ai nuk e ka fshehur dashurinë e tij për Ajaxin asnjëherë dhe së fundi e bëri një postim në llogarinë e tij në rrjetin social në Twitter, duke e falënderuar klubin që i dha atij gjithçka në karrierë.

Swart kishte luajtur në Amsterdam gjatë gjithë karrierës së tij dhe ai ishte njëri lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën e Ajaxit që i fitoi tre trofe radhazi të Kupës Evropiane në fillim të viteve të 70-ta.

“Mendoj se ai dëshiron me të vërtetë të kthehet në Ajax. Menjëherë? Epo, ndoshta edhe menjëherë. Ai do të kthehet me të vërtetë në Ajax, thjesht nuk e di kur”, u shpreh Swart në një intervistë të dhënë për NH Sportcafe.

“Ka disa lojtarë të caktuar të cilët do të donin të ktheheshin në Ajax. Mendojeni Frank Rijkaardin dhe Jari Litmanenin”.

Rijkaardi e përfundoi karrierën e tij me dy sezone në Ajax, pasi i kishte kaluar pesë me Milanin, përderisa Litmanen, si Suarezi, kishte kaluar kohë me Liverpoolin dhe Barcelonën para se të kthehej në Holandë.

Suarezi është duke e shijuar sezonin e tij të gjashtë në Camp Nou dhe tashmë i ka regjistruar më shumë paraqitje me fanellën e katalonase sesa me cilëndo fanellë tjetër gjatë karrierës së tij.

(Kosova Sot Online)