Pogba qëndron në Manchester United, thotë Solskjaer

  • 19 August 2019 - 09:50
Pogba qëndron në Manchester United, thotë Solskjaer

Trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, këmbëngul se Paul Pogba do të qëndrojnë në Old Trafford përkundër interesimit të madh për të nga Real Madridi dhe Juventusi.

Pogba tha se e ardhmja e tij është një pikëpyetje e madhe pas fitores së Unitedit 4:0 kundër Chelseat në ndeshjen hapëse të Premierligës më 11 gusht.

Derisa afati kalimtar në Premierligë është mbyllur tashmë, në La Liga dhe në Serie A është i hapur deri më 2 shtator, duke nxitur thashetheme ta vazhdueshme për kalimin e tij të mundshëm në Madrid apo një kthim sensacional në Juventus.

Solskjaer, megjithatë, nuk shqetësohet për të ardhmen e mesfushorit francez.

“Ju (mediat) gjithmonë ngrehni pikëpyetje rreth Paul. Nuk mendoj se është e çuditshme të thuash argëtohem me bashkëlojtarët e mi, më pëlqen çfarë bëj, e dua punën time dhe e shijoj lojën time”, tha Solskjaer.

“Nuk ka një konferencë për media në të cilën nuk i jam përgjigjur një pyetjeje për Paul Pogba. 80 për qind e asaj që ai e ka thënë ka qenë se ai e shijon lojën dhe kohën këtu. Por ju ngrehni pyetje”, shtoi ai.

“Unë nuk shqetësohem aspak për Paul. Për mua, ai do të qëndrojë këtu”, theksoi ai. 

(Kosova Sot Online)