Habit mbrojtësi i Arsenalit: Me Liverpoolin do ta kemi goxha ma të lehtë se me Burnley

  • 19 August 2019 - 14:31
Habit mbrojtësi i Arsenalit: Me Liverpoolin do ta kemi goxha ma të lehtë se me Burnley

Arsenali do të udhëtojë drejt Liverpoolit këtë fundjavë me kujtime të këqija nga vizita e fundit në Merseyside, por qendërmbrojtësi Sokratis Papastathopoulos pret një ndeshje të lehtë për skuadrën e tij krahasuar me takimin e javës së kaluar ndaj Burnley.

Skuadra e Unai Emery pësoi humbje shkatërruese 5:1 kundër Liverpoolit të Jurgen Kloppit herën e fundit në Anfield dhe nuk e ka shijuar fitoren ndaj të kuqve në Premierligë që prej 4 prillit 2015.

“Topçinjtë” i futen këtij takimi me shumë vetëbesim, megjithatë, pasi i kanë fituar dy ndeshjet e para në sezonin e ri të Premierligës, për herë të parë në 10 vjetët e fundit.

Në fitoren e javës së kaluar (2:1) kundër Burnley, Sokratis luajti në qendër të mbrojtjes përkrah David Luiz për herë të parë. Dyshja pati një pasdite të vështirë për shkak se iu desh të bënte lojë fizike ndaj Chris Wood dhe Ashley Barnes.

Mbrojtësi grek beson se kundër Liverpoolit ai dhe Luiz do ta kenë një ndeshje më të lehtë.

“Për një mbrojtës është më e vështirë (të luajë ndaj Burnley) sepse duhet të luftosh shumë. Me (Liverpoolin) është ndeshje tjetër. Mbase është më lehtë ndaj tyre sepse nuk duhet të luftosh shumë, por edhe ata luajnë futboll”, tha Sokratis.

“Nëse ata e kanë ditën, e ne nuk e kemi, atëherë do të jetë vështirë”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)