Rashfordi e mbron Pogban: Të gjithë mund ta humbin një penallti

  • 20 August 2019 - 08:52
Rashfordi e mbron Pogban: Të gjithë mund ta humbin një penallti

Marcus Rashfordi thotë se ai nuk e ka asnjë problem me penalltinë e Paul Pogbas të hënën, përkundër që francezi gaboi nga pika e penalltisë dhe Manchester Unitedi i humbi dy pikët e para në Premierligë.

“Djajtë e kuq” u detyruan të mjaftohen me një barazim kundër Wolves të hënën në stadiumin “Molineux”, me Anthony Martialin dhe Ruben Nevesin që shënuan për skuadrat e tyre në xhiron e dytë të sezonit të ri të Premierligës.

Por, Manchester Unitedi e pati mundësinë t’i fitojë tri pikët e kësaj ndeshjeje përmes Pogbas, mirëpo mesfushorit francez ia mbrojti gjuajtjen nga pika e penalltisë portieri Rui Patricio.

Pritja e Patricios ishte e mjaftueshme për t’ia siguruar skuadrës së vet një pikë të fituar me vështirësi, përderisa Pogba mori edhe më shumë kritika për shkak se kjo ishte penalltia e katërt të cilët e kishte humbur gjatë vitit 2019.

Pas ndeshjes, trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, zbuloi se Pogba dhe Rashfordi janë të caktuar për gjuajtjen e penalltive. Anglezi nuk u shpreh aspak i zhgënjyer që nuk e gjuajti këtë penallti, përkundër që Pogba nuk u tregua i saktë.

“Pauli e deshi atë. Është kaq e thjeshtë. Të gjithë mund ta humbin një penallti. Ai ka shënuar nga penallti të panumërta për ne dhe gjatë gjithë karrierës së tij”, ka thënë Rashfordi në një intervistë të dhënë për Sky Sports, pas ndeshjes.

“Është normale ta humbësh një penallti. Ne po e harrojmë këtë gjë tani. Do të ecim përpara me ndeshjen tjetër dhe nëse luajmë siç luajtëm sot, me pak më shumë urgjencë, atëherë do të jemi mirë”.

“Është shumë e thjeshtë. Kur dëshiron ta gjuash ti penalltive, e gjuan. Unë e mora penalltinë e javës së kaluar, kështu që nuk është aspak problem që ai ta marrë këtë javë. Për fat të keq ai nuk shënoi, por ky është futbolli”. 

(Kosova Sot Online)