Video: Përleshje e madhe mes tifozëve të Man Cityt dhe Tottenhamit

  • 20 August 2019 - 09:04
Video: Përleshje e madhe mes tifozëve të Man Cityt dhe Tottenhamit

Një përleshje masive mes tifozëve të Manchester Cityt dhe atyre të Tottenhamit u shkaktua pas vendimit kontrovers të VAR-it për ta anuluar golin e vonshëm të fitores, të shënuar nga Gabriel Jesus.

Pamje nga kjo përleshje janë publikuar online dhe aty shihen disa policë duke tentuar ta ndalojnë një përleshje të madhe mes dy palëve të tifozëve, jashtë stadiumit “Etihad”, pas barazimit të së shtunës me rezultat 2:2.

Pjesa e parë shkoi mjaft mirë për Manchester Cityn, që dominoi me lojë të bukur, tipike për stilin e trajnerit Pep Guardiola. “Të kaltrit” dominuan me posedim të topit, goditje brenda kuadratit të portës e pasime.

Ky dominim u shfaq edhe në rezultat pasi që pjesa e parë u mbyll me rezultat 2:1 në favor të skuadrës së Guardiolës. Raheem Sterlingu e shënoi golin e parë, mirëpo vetëm tre minuta më vonë Erik Lamela e barazoi rezultatin me një supergol.

Pasi e kishte asistuar golin e shënuar nga Sterlingu, Kevin de Bruyne shkëlqeu sërish 15 minuta më vonë, kur në minutën e 35-të e asistoi edhe golin e dytë, të shënuar nga Sergio Aguero.

Përderisa dominimi i Manchester Cityt vazhdoi edhe në pjesën e dytë të ndeshjes, kjo gjë nuk u përkthye edhe në rezultat, pasi që goli i vetëm në këtë pjesë u shënua nga Lucas Moura i Tottenhamit, i cili ia shpëtoi një pikë skuadrës së tij.

Manchester City besoi se e fitoi ndeshjen, kur Gabriel Jesus shënoi në minutën e 92-të, mirëpo pas konsultimit me VAR-in, goli u anulua dhe festa e Manchester Cityt u ndal. VAR-i e anuloi golin pasi që topi e goditi krahun e Aymeric Laportes para se të arrinte te Jesus.

Kjo është goditja e parë për Manchester Cityn këtë sezon pasi që ndeshjen e xhiros së parë e kishte fituar me rezultat bindës 5:0. Mirëpo, “Citizens” do të tentojnë të kthehen fuqishëm në xhiron e ardhshme, në ndeshjen kundër Bournemouthit.

Ndërsa, Tottenhami nuk kishte qenë bindës në ndeshjen e xhiros së parë, përkundër që shënoi fitore me rezultat 3:1 kundër Aston Villës. Ecurinë e fitoreve do të tentojë ta vazhdojë edhe kundër Neëcastle Unitedit në xhiron e ardhshme. 

(Kosova Sot Online)