Shtetet e Bashkuara testojnë raketën që më parë ndalohej nga traktati me Rusinë

  • 20 August 2019 - 11:33
Shtetet e Bashkuara testojnë raketën që më parë ndalohej nga traktati me Rusinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë testuar një raketë me rreze të mesme veprimi disa javë pas tërheqjes nga një traktat bërthamor me Rusinë, në bazë të të cilit ndalohej testimi dhe përdorimi i këtyre armëve me kapacitet bërthamor. Pentagoni njoftoi se e ka testuar me sukses këtë raketë në brigjet e Kalifornisë.

ShBA-ja u tërhoq zyrtarisht nga Traktati për Armë Bërthamore me Rreze të Mesme më 2 gusht pasi e akuzoi Rusinë se e ka shkelur këtë marrëveshje, ndonëse Moska e ka mohuar një akuzë të tillë.

Analistët dyshojnë se dështimi i këtij traktati mund të nxisë një garë të re armatimi. Sipas marrëveshjes së arritur në periudhën e Luftës së Ftohtë, ndalohej përdorimi i raketave me rreze veprimi prej 500 deri 5500 kilometrash.

Pentagoni njoftoi se testimi i raketës është bërë në ishullin San Nicolas, afër Los Angelesit dhe se ajo nuk ka qenë e pajisur me armë bërthamore.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë më parë se akuzat e Shteteve të Bashkuara për shkelje të marrëveshjes bërthamore nga ana e Rusisë janë vetëm pretekst për t’u tërhequr nga ajo, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)