Real Madridi, në pritje të Neymarit

  • 20 August 2019 - 12:59
Real Madridi, në pritje të Neymarit

Nuk është aspak sekret që Real Madridi ka qenë adhurues i Neymarit për një kohë të gjatë. Ai madje ishte stërvitur në kampin e madrilenëve, Valdebebas, dhe e kishte ndarë formularin e regjistrimit me Dani Carvajalin, por nuk e veshi kurrë fanellën e klubit.

Në të kaluarën, ai kishte zgjedhur të transferohet në Barcelonë dhe verën e kaluar nuk e përmbushi dëshirën e klubit për ta kërkuar një largim nga Paris Saint-Germaini, gjë që e ka bërë këtë verë.

E përditshmja spanjolle, Marca, raporton se, në “Santiago Bernabeu”, drejtuesit e klubit janë duke e shqyrtuar të gjithë këtë situatë me Neymarin me qetësi dhe durim.

Madrilenët e duan brazilianin dhe e dinë se ai ende mund të kontribuojë shumë në skuadrën e Zinedine Zidanit, përkundër që në të kaluarën e kishte refuzuar klubin madrilen.

Tani, “Los Blancos” e dinë se vetë futbollisti dhe Paris Saint-Germaini duhet ta kontaktojnë Real Madridit për të kërkuar ndihmë në gjetjen e një zgjidhjeje për të ardhmen e Neymarit. Në Madrid besojnë se për të ndodhur kjo duhet vetëm edhe pak kohë.

Bordi drejtues i Real Madridit është i vetëdijshëm se Neymari ka vendosur të largohet nga Paris Saint-Germaini dhe është i gatshëm ta shtyjë në limit klubin francez këtë verë. Kjo situatë mund të shkojë në favor të madrilenëve.

Florentino Perez dhe kolegët e tij janë në dijeni se Barcelona nuk ka marrëdhënie të mira me klubin francez dhe se katalonasit nuk kanë mundësi financiare ta paguajnë çmimin e kërkuar për Neymarin.

Duke i ditur të gjitha këto, Real Madridi do të shprehë interesim për ta transferuar brazilianin. Disa lojtarë duhet të largohet nga Real Madridi për ta financuar këtë transferim, përfshirë këtu James Rodriguezin dhe Mariano Diazin, edhe largimi i ndonjë lojtari tjetër nuk është i pamundur. 

(Kosova Sot Online)