Ronaldo e pranon se tentoi ta heshtë vajzën që e akuzon për...

  • 20 August 2019 - 14:52
Ronaldo e pranon se tentoi ta heshtë vajzën që e akuzon për...

Avokatët e sulmuesit të Juventusit, Cristiano Ronaldos, për herë të parë e kanë pranuar në gjykatë se ata e kishin paguar Kathryn Mayorgan 375 mijë dollarë në vitin 2010 në mënyrë që ajo të mos e akuzojë portugezin për përdhunim.

Cristiano Ronaldo nuk pranon se e kishte dhunuar Kathryn Mayorgan në një hotel në Las Vegas në vitin 2009, megjithatë ai e pranon se ia ka paguar 375 mijë dollarë asaj rreth një vit më vonë për ta mbajtur të heshtur.

Ekipi ligjor i Ronaldos thotë se ai i pagoi 375 mijë dollarë “për ta ruajtur fshehtësinë e mosmarrëveshjes së tyre”. Mayorga ka kërkuar që kontrata që ajo e kishte nënshkruar në atë kohë të zhvleftësohet nën pretendimin se ajo nuk ishte në gjendje të mirë mendore kur kishte pranuar të paguhej 375 mijë dollarë për të mos folur.

Vitin e kaluar, Kathryn Mayorga e akuzoi Cristiano Ronaldon se e kishte përdhunuar në orët e hershme të 13 qershorit të vitit 2009, në Las Vegas, pasi ishin takuar në një klub nate.

Mayorga, atëherë 25-vjeçare, e kishte raportuar sulmin në policinë e Las Vegasit. Ajo nuk e kishte identifikuar Ronaldon me emër sepse kishte thënë se ai ishte figurë publike dhe i frikësohej portugezit. Ajo ishte dërguar në spital dhe ishte hetuar nëse ka shenja përdhunimi.

Gjatë muajve në vazhdim, sipas avokatëve të Mayorgas, hetues privat të Ronaldos e kishin gjetur amerikanen dhe i kishin mbajtur shënim të gjitha lëvizjet e saj. Ajo gjithashtu pretendon se avokatët e Ronaldos e kishin detyruar atë ta nënshkruante një dokument.

Në atë dokument, Mayorga premtoi se nuk do të fliste kurrë publikisht për incidentin dhe në shkëmbim i mori 375 mijë dollarë. Ky dokument u nënshkrua edhe nga Mayorga edhe nga Ronaldo në janar të vitit 2010.

Në vitin 2017, gazeta gjermane Der Spiegel e publikoi një artikull ku Ronaldo akuzohej për përdhunim, mirëpo emri i Mayorgas ishte lënë anonim. Shumë prej informatave të gazetës ishin siguruar nga dokumente dhe mesazhe që ishin siguruar nga Football Leaks.

Agjenti i Ronaldos i mohoi menjëherë këto lajme, mirëpo asnjëherë nuk e paditi as Der Spiegelin e as Mayorgan për shpifje.

Në shtator të vitit 2018, Der Spiegel e publikoi edhe një tjetër artikull, këtë herë duke e treguar rrëfimin e plotë të Mayogas, e cila e zbuloi edhe identitetin e vet. Në atë artikull, Maryoga shpjegon në detaje se si Ronaldo e kishte sulmuar dhe çfarë kishte ndodhur me të në vitet në vijim.

Der Spiegel i zbuloi edhe disa dokumente të këtij rasti, të cilat përfshinin deklarata të dhëna nga Ronaldo. Në këto dokumente, portugezi e kishte pranuar se kishte qenë i ashpër me Mayorgan dhe se ajo i kishte thënë jo disa herë, para se ta dhunonte.

Avokatët e Ronaldos, por edhe vetë portugezi, e kanë mohuar këtë lajm disa herë. Megjithatë, për shkak të dokumenteve të besueshme të publikuara, policia e Las Vegasit i kishte rihapur hetimet për këtë rast.

Mayorga e kishte paditur yllin e Juventusit jo vetëm për përdhunim, por edhe për presionin që ia kishte bërë më vonë dhe përcjelljen përmes hetuesve privat.

Policia e Las Vegasit e hetoi këtë rast për të dytën herë në vitin 2018. Muajin e kaluar, gjykatësi i kësaj zone tha se ata nuk do të ngrenë aktakuzë ndaj futbollistit, por ende nuk është marrë vendimi përfundimtar.