Zyrtare: Milani transferon adoleshentin brazilian, Luan Capannin

  • 20 August 2019 - 15:29
Zyrtare: Milani transferon adoleshentin brazilian, Luan Capannin

Adoleshenti brazilian, Luan Cappani, ka thënë se ëndrra e tij është bërë realitet pasi që u konfirmua transferimi i tij nga Lazio në Milan gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Transferimi i Luan Cappanit u konfirmua në uebsajtin e Lega Serie A, pasi që Milani e regjistroi futbollistin si pjesë të skuadrës së vet.

19-vjeçari Cappani ka thënë se shpreson se do t’i bëjë krenarë bashkëkombësit e tij që kishin luajtur më parë në “San Siro”.

“Jam shumë i lumtur me këtë transferim. Ka qenë gjithmonë ëndërr e imja të luaj për një klub si Milanin, që është njëri ndër klubet më të mëdhenj në botë. Do të punoj shumë për t’ua shpaguar atyre”, ka thënë Cappani.

“Unë u rrita duke i përcjellë ndeshjet e Milanit. Futbollistë të mrekullueshëm kanë luajtur këtu dhe ende luajnë për këtë klub. Brazilianë të cilët janë pasqyra për mua – si Kaka, Ronaldinho dhe Cafu mes tjerësh. Jam shumë i lumtur”.

Sulmuesi i kishte shënuar 13 gola në vetëm 19 ndeshje të Primaverave për Lazion sezonin e kaluar dhe ai ende ka mundësi të luajë për ekipin kombëtar të Italisë.

Capanni pritet fillimisht të luajë për ekipin U-19 të Milanit e pastaj nëse dëshmohet me atë skuadër, atëherë mund të kalojë edhe me ekipin e parë, të drejtuar nga Marco Giampaolo. 

(Kosova Sot Online)