Llorisi i Tottenhamit: Liverpooli dhe Man City janë favoritë për titullin e Premierligës

  • 21 August 2019 - 12:36
Llorisi i Tottenhamit: Liverpooli dhe Man City janë favoritë për titullin e Premierligës

Liverpooli dhe Manchester City janë pretendentët e vërtetë për trofeun e Premierligës këtë sezon, sipas portierit të Tottenhamit, Hugo Llorisit, përkundër që skuadra e tij e ndali me barazim skuadrën e Pep Guardiolës.

Tottenhami e fitoi një pikë kundër kampionit në fuqi të Premierligës në ndeshjen e së shtunës në stadiumin “Etihad”. Ata arritën ta barazojnë rezultat dy herë në këtë ndeshje, që përfundoi me rezultat 2:2, transmeton Gazeta Express.

Manchester Cityt iu anulua një gol i vonshëm nga VAR-i për prekje me dorë në rrethana jo plotësisht të qarta. Ky gol i anuluar bëri që tani të mbetet vetëm Liverpooli dhe Arsenali me rekord të 100 për qindtë në Premierligë pas dy ndeshjeve hapëse.

Tottenhami e shijoi njërin ndër sezonet më të suksesshëm ndër vite, nën drejtimin e trajnerit Mauricio Pochettino, sezonin e kaluar, duke e siguruar një vend në top katërshe të Premierligës dhe duke arritur për herë të parë në histori në finale të Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, ata në fund nuk arritën të fitojnë ndonjë medalje në ligë dhe u mposhtën nga Liverpooli në finalen e Championsit në Madrid.

“Një gjë që po tentojmë ta përmirësojmë këtë sezon: Nëse nuk mund të fitosh, është e rëndësishme të mos e humbasësh një ndeshje, veçanërisht kundër një skuadre si Manchester City”, u shpreh Lloris për Evening Standard.

“Nëse dëshiron të mbetesh me ekipet më të mira në Premierligë, është e rëndësishme që ta kesh këtë lloj ndjenje. Kishte disa ndeshje të cilat i humbëm sezonin e kaluar, të cilat në fakt ishte dashur t’i kishim barazuar. Të gjithë e dimë se sa e vështirë është të luash kundër Cityt, kështu që është ndjenjë e mirë ta ndërtojmë vetëbesimin”.

“Me përulësi them se Liverpooli dhe Manchester Cityt janë pretendentët e vërtetë për titull. Ne do të tentojmë dhe do ta japim më të mirën tonë për ta fituar vendin e parë, mirëpo është e vështirë ta gjejmë këtë lloj konsistence”.

(Kosova Sot Online)