Salahut i pëlqejnë gabimet e gjyqtarëve: VAR-i sjell më shumë drejtësi sesa që duhet në futboll

  • 21 August 2019 - 13:08
Salahut i pëlqejnë gabimet e gjyqtarëve: VAR-i sjell më shumë drejtësi sesa që duhet në futboll

Ylli egjiptian i Liverpoolit ka befasuar me deklaratën e tij të fundit për teknologjinë e VAR-it, duke thënë se kjo teknologji e bën më të drejtë sesa që duhet futbollit dhe se ai preferon të ketë gabime të gjyqtarëve.

Prej momentit kur filloi sezoni 2019/20 i Premierligës para dy javësh, një fjalë i ka dominuar ballinat e gazetave sportive në Angli: VAR-i. Kjo teknologji po përdoret për herë të parë në ligën angleze.

VAR-i e bëri të ditur prezencën e vet qysh në ndeshjet e para, ku spikati në përballjen mes Manchester Cityt dhe West Hamit. “Citizens” e fituan me rezultat 5:0 atë ndeshje, mirëpo një gol i tyre u anulua, një tjetër u rishikua për një kohë të gjatë dhe një penallti u rigjuajt.

Cilëndo herë që VAR-i u përdor në Stadiumin e Londrës, festimet u ndalën dhe tifozët thanë se kjo e prishi euforinë që futbolli e krijon zakonisht.

Manchester City ishte sërish viktimë e VAR-it kundër Tottenhamit në fundjavë, pasi që goli i fitores i shënuar në minutat e fundit të ndeshjes u anulua për shkak të një prekjeje me dorë. Ky vendim u prit me shumë kritika dhe dyshime, së fundi edhe nga ylli i Liverpoolit, Salahu.

Në një intervistë të dhënë për CNN International, egjiptiani tha se atij i pëlqen futbolli ashtu siçs dhe se pret të fitojë më shumë penallti përmes VAR-it.

“Nuk më pëlqen VAR-i. Por, kjo është përgjigja ime gjithmonë. Më pëlqen futbolli kështu siç është. Nganjëherë është në rregull ta mbrosh një lojtar nga veprimet e rrezikshme, por, për mua, unë e pranoj futbollin me gabime të gjyqtarit dhe me gabime të lojtarëve”, tha Salah.

“Futbolli më emocionon më shumë kështu, pasi që njerëzit janë më të zjarrtë në këtë mënyrë. Por, VAR-i është shumë i drejtë. Vitin e kaluar unë e pata një penallti në finale të Ligës së Kampionëve dhe kjo më ndihmoi shumë”.

“VAR-i është më i drejtë sesa që duhet. Mendoj se futbolli ka nevojë për më shumë emocione. Natyrisht, kështu e duan të gjithë futbollin”.

Kur u pyet se si do të ndikojë VAR-i në këtë sezon të Premierligës, Salah tha: “Më shumë penallti për mua! Do ta shihni”. 

(Kosova Sot Online)