Kinezët e ftojnë për herë të parë një lojtar të huaj në ekipin kombëtar

  • 21 August 2019 - 14:59
Kinezët e ftojnë për herë të parë një lojtar të huaj në ekipin kombëtar

Sindroma e natyralizimit të lojtarëve të huaj e ka kapur edhe Kinën, ani pse ky shtet numëron rreth 1.4 miliard banorë.

Sulmuesi brazilian, Elkeson është bërë futbollisti i parë jo-kinez i natyralizuar që u thirr për në Kualifikimet e Kupës së Botës 2022 në Kinë.

Trajneri Marcello Lippi ka kohë që është ankuar se i mungojnë sulmuesit dhe tani ka ftuar 30-vjeçarin, i cili ka gjashtë vjet që luan në superligën e Kinës dhe ka shënuar më shumë se njëqind gola. 

Procesi i natyralizimit i Elkeson ka ngjallur shumë reagime në Kinë, megjithëse një tjetër lojtar i kombëtares kineze, Nico Yennaris, i lindur në Londër, kaloi të njëjtin proces para tij.

Por Yennaris, i cili është në ekipin kombëtar që nga qershori, ka prejardhje kineze sepse nëna e tij është kineze, ndryshe nga Elkeson, një lojtar i klubit Guangzhou Evergrande, i cili tani do të bartë emrin kinez Ai Kesen.

Kina, e cila deri më tani ka arritur të kualifikohet në vetëm një botëror në vitin 2002, aktualisht renditet e 71-ta në renditjen e FIFA-s.

(Kosova Sot Online)