"Nuk isha unë problemi i United!", Lukaku rrëfen kalimin te Interi dhe citon... Juventusin!

  • 21 August 2019 - 21:09

Lukaku ka zbarkuar pak ditë më parë në Itali, ku do të luajë këtë sezon me Interin. Sulmuesi belg shprehet në një intervistë në “youtube” se transferimi te skuadra zikaltër është për meritë trajnerit Conte. “Më ka kërkuar që në vitin 2013, kur drejtonte Juven. Kemi një marrëdhënie të mirë bashkë, më tregoi që në fillim çfarë kërkon nga unë, ku do të luaj”, tha Lukaku.

PREMIER - “Premier League mbetet kampionati nr.1 dhe më pas vjen Serina A. Këtu është e vështirë të shënosh, por do të bëj më të mirën e mundshme për Interin”, tha belgu. “United? Nuk e di nëse isha unë problemi, pasi me kombëtaren shënoja gjithnjë, ndërsa aty gjërat nuk shkonin mirë. Tek United nuk ndihesha i mbrojtur, kishte shumë zëra. Më thonin shpesh se trajneri nuk kishte besim tek unë dhe do të më shisnin”, tha Lukaku. 

INTER – “Nuk doja të rrija në një ekip ku nuk më duan. Unë besoj tek aftësitë e mia dhe nuk dua të jem problem. Inter dhe Juve nuk ishin të vetmet që më kërkonin. Chelsea? Lampard më ka ndihmuar shumë kur isha te Chelsea, por zgjodha Italinë. Transferimi im varej nga United, por unë doja të luaja në një ekip ku më donim”, u shpreh sulmuesi 26-vjeçar.

KARAKTERISTIKAT – “Jam një sulmues që bëj shumë gola, i shpejtë, i fuqishëm dhe që mund të dribloj. Njerëzit mendojnë shpesh se unë jam e kundërta. Se jam një sulmues i shëndoshë që hidhet qorrazi mes mbrojtjes dhe mbron topin. Jam një golashënues. Me kombëtaren jam më i rrezikshëm, pasi synoj gjithnjë të shënoj”, tha Lukaku.

(Kosova Sot Online)