Rivaldo: Coutinho e pati të vështirë në Barcelonë, Messi i merrte të gjitha lëvdatat

  • 22 August 2019 - 12:29
Rivaldo: Coutinho e pati të vështirë në Barcelonë, Messi i merrte të gjitha lëvdatat

Transferimi i Philippe Coutinhos në Bayern Munich në formë huazimi e ka zhgënjyer Rivaldon, mirëpo bashkëkombësi i tij beson se Coutinho nuk e pati të lehtë në Barcelonë pasi që Lionel Messi i merr vazhdimisht të gjitha lëvdatat aty.

Philippe Coutinho arriti marrëveshje që të huazohet për sezonin e ardhshëm në “Allianz Arena” në mënyrë që të ketë më shumë minuta lojë, pasi që 27-vjeçar s’kishte arritur ta dëshmojë veten në “Camp Nou”.

Megjithatë, ai do të tentojë ta tregojë veten tani në Gjermani, pasi që Bayern Munichu e ka opsionin për ta blerë atë për 120 milionë euro verën tjetër, pasi ta testojnë atë në formë huazimi gjatë këtij sezoni.

Rivaldo – i cili gjatë karrierës së vet kishte qenë lojtar i Barcelonës, si dhe kishte arritur ta fitojë Kupën e Botës me Brazilin – shpreson se bashkëkombësi i tij do të jetë i suksesshëm në ambientin e ri.

“Jam pak i zhgënjyer për dështimin e tij për ta fituar një vend në formacionin e parë, mirëpo ai ndoshta më nuk kishte vetëbesim dhe nuk ishte i lumtur, kështu që ai vendosi të shkojë në një tjetër klub të madh për ta kthyer futbollin e tij më të mirë, që e shfaqi në Liverpool”, ka thënë Rivaldo.

“Nuk është kurrë e lehtë të gjesh hapësirë në një skuadër ku Messi vazhdimisht i merr të gjitha lëvdatat dhe përgjegjësitë. Ka shumë pak lojtarë në botë që mund ta gjenin veten në një situatë të tillë dhe ta impononin veten. Ndoshta Coutinho nuk e pati durimin për ta gjetur vendin në një skuadër”.

“Argjentinasi është ylli dhe lideri i skuadrës dhe ai do të vazhdojë të luajë në nivelin më të lartë për tre apo katër vjet, kështu që është e vështirë të shohësh lojtarë të tjerë duke shkëlqyer në Barcelonë”. 

(Kosova Sot Online)