Fillon “Europiani” i femrave në volejboll

  • 22 August 2019 - 22:55
Fillon “Europiani” i femrave në volejboll

Një herë në dy vjet, ashtu siç e kërkon tradita, “Kontinenti i Vjetër” organizon fazat finale të Kampionatit Evropian të Volejbollit, si për femra ashtu edhe për meshkuj.

Meshkujt duhet të presin për edicionin e 31-të, që do të mbahet nga data 13-29 shtator në Belgjikë, Francë, Holandë dhe Slloveni, sidoqoftë femrat e fillojnë aktivitetin e tyre tre javë më herët dhe bëhet fjalë për një kompeticion që sivjet ka pësuar ndryshime të mëdha.

Duke lënë mënjanë kampionatin e vitit 2009, që u zhvillua në Poloni, 5 nga 6 edicionet e tjera në kampionatin evropian të volejbollit për femra u organizuan nga dy vende, gjithsesi këtë radhë për herë të parë në histori ky aktivitet do të mbahet në katër shtete të ndryshme. Edicioni i 31-të, pra i kampionatit evropian të volejbollit për femra, do të zhvillohet në harkun e 17 ditëve në Hungari, Poloni, Sllovaki dhe Turqi, më saktë nga data 23 gusht deri më 8 shtator.

Dy vjet më parë në kampionatin e zhvilluar në Azerbajxhan dhe Gjeorgji morën pjesë 16 shtete gjithsej dhe Serbia dominoi edicionin e kaluar duke koleksionuar titullin e dytë në histori, trofe i fituar pa asnjë disfatë dhe me vetëm dy sete të humbur në total, me Belgjikën në fazën e grupeve dhe më pas me Holandën në takimin final. Këtë herë struktura e kampionatit ka ndryshuar plotësisht, madje është rritur ndjeshëm edhe numri i skuadrave pjesëmarrëse.

Kështu nga 16, numri i skuadrave përfaqësuese ka shkuar në 24 dhe nga 4 grupe me nga 4 ekipe, formati aktual i fazës hapëse ka ndryshuar dukshëm dhe tani përbëhet nga 4 grupe me nga 6 skuadra. Nga faza e parë kualifikohen plot katër skuadra nga secili grup dhe më pas gjithçka do të vazhdojë me formatin e zakonshëm me ndeshje me eliminim të drejtpërdrejtë.

Pra faza e “knock out”-it do të vijojë si gjithmonë me sfidat e 1/8-ave, fazën çerekfinale, atë gjysmëfinale dhe ndeshjen finale që do të përcaktojë të dielën e 8 shtatorit edhe skuadrën kampione. Përveç katër vendeve organizatore, Turqi, Poloni, Hungari dhe Sllovaki, tetë shtete si Serbia, Holanda, Azerbajxhani, Italia, Rusia, Bjellorusia, Gjermania dhe Bullgaria e kanë fituar të drejtën e pjesëmarrjes në këtë aktivitet nëpërmjet renditjes përfundimtare të evropianit të kaluar.

Ndërkaq 12 shtetet e fundit që kompletojnë kuadrin e 24 ekipeve, plotësohen me kombëtaret që kanë bërë më mirë në 6 grupet kualifikuese të “Kontinentit të Vjetër”. Nga Grupi A Belgjika me Slloveninë, nga Grupi B Kroacia me Zvicrën, nga Grupi C Greqia me Ukrainën, nga Grupi D Franca me Portugalinë, nga Grupi E Estonia me Finlandën ndërsa nga Grupi F Spanja me Rumaninë. 17 ditët do të jenë tepër të ngjeshura dhe skuadra përfaqësuese që do të kurorëzohet më 8 shtator është e shtrënguar për të luajtur plot 9 ndeshje në harkun e kësaj periudhe kohe.

Të hënën e ardhshme të gjithë ekipet do të kenë luajtur nga tre ndeshje në fazën e grupeve, kështu që ruajtja e energjive dhe freskisë fizike për pjesën e mëtejshme të këtij kompeticioni është e domosdoshme. Në mesin e javës së ardhshme nga dita e martë deri në ditën e enjte do të kompletohet përfundimisht edhe tabloja e plotë e 16 skuadrave që do të përballen ndërmjet tyre në fazat e mëtejshme me eliminim të drejtpërdrejtë, ku natyrisht do të ndahet edhe kalendari i mundshëm për secilin ekip, në rrugën drejt lavdisë.

Rusia konsiderohet si Superfuqi në “Kontinentin e Vjetër”, sepse ka trashëguar edhe trofetë e fituar nga Bashkimi Sovjetik, që koleksionoi plot 10 tituj në 11 edicionet e parë të këtij kompeticioni. Rusia madje ka fituar gjithashtu edhe 2 tituj në 3 edicionet e fundit të kampionatit evropian të volejbollit për femra, ndërkaq janë rritur shumë vende si Holanda dhe Gjermania, që gjithsesi kanë pësuar zhgënjime të mëdha në finalet e dekadës së fundit.

Kështu Gjermania numëron dy të tilla, në vitet 2011 e 2013, ndërsa Holanda që klasifikohet e shtata në botë është mundur tre herë në 10 vitet e fundit pikërisht në pengesën e fundit, ku dy prej këtyre finaleve volejbollistet portokalli i kanë humbur respektivisht me Rusinë dhe Serbinë në dy edicionet e fundit të këtij aktiviteti. Protagoniste pritet të jenë gjithashtu edhe kombëtare si Turqia, që përveçse vend organizator aktualisht mban edhe vendin e 12 në klasifikimin e përgjithshëm të FIVB, natyrisht Serbia që është nënkampione e botës dhe nënkampione olimpike apo qoftë edhe përfaqësuesja italiane që është gjithashtu pjesë e dhjetë skuadrave me renditjen më të mirë në rruzull.

(Kosova Sot Online)