Van Dijk s’do të bëhet trajner: Bota di të jetë shumë e ligë

  • 23 August 2019 - 08:20
Van Dijk s’do të bëhet trajner: Bota di të jetë shumë e ligë

Qendërmbrojtësi i Liverpoolit pretendon se ai, sipas të gjitha gjasave, nuk do të bëhet trajner kur ta përfundojë karrierën si futbollist, duke theksuar se bota di të jetë shumë e ligë.

28-vjeçari është në formën e tij më të mirë të karrierës tani dhe ai është në mesin e favoritëve për ta fituar Topin e Artë këtë vit, pasi e ndihmoi Liverpooli ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar.

I njohur për qetësinë dhe pozicionimin e mirë të tij, Van Dijk duket se i posedon të gjitha atributet e nevojshme për t’u bërë trajner në të ardhmen, mirëpo vetë futbollisti nuk është tifoz i madh i kësaj ideje.

“Në fillim të karrierës sime mendova se mund të bëhem trajner, por në këtë pikë nuk mendoj se do të bëhem trajner. Kjo botë di të jetë shumë e ligë… ka shumë njerëz që kanë mendime dhe ato të ndikojnë. Nëse e ki zgjedhjen, ti preferon të mos jesh në atë pozitë”, ka thënë Van Dijk.

“Por, unë mendoj se do të jem patjetër i përfshirë në botën e futbollit. Nuk do të bëhem analist sepse duhet të thuash disa gjëra të cilat ndoshta nuk dëshiron t’i thuash, por detyrohesh”.

“Do ta shohim, e kam një sy të mirë për t’i vërejtur talentet kështu që ndoshta do të bëj diçka të tillë”.

Pasi iu bashkua Liverpoolit në vitin 2018 nga Southamptoni, Van Dijku shpejt është bërë njëri ndër të preferuarit e trajnerit Jurgen Klopp dhe ai dëshiron ta shpërblejë trajnerin për besimin me edhe më shumë suksese.

“Të gjithë që luajnë për Liverpoolin gjithmonë qëndrojnë në familjen e Liverpoolit. Jam shumë i lumtur që jam mirëpritur në këtë familje. Unë vetëm dua të mbahem mend si lojtar fantastik që i ka dhënë gjithçka skuadrës dhe e ka shijuar çdo moment”.

Pasi fitoi në dy ndeshjet e para të sezonit të ri të Premierligës, Liverpooli do të përballet me Arsenalin të shtunën. Këto dy klube janë të vetmet që deri më tani i kanë fituar të gjitha ndeshjet. 

(Kosova Sot Online)