Martial e komenton konkurrencën me Rashfordin: Po i terrorizojmë mbrojtësit

  • 23 August 2019 - 08:37
Martial e komenton konkurrencën me Rashfordin: Po i terrorizojmë mbrojtësit

Anthony Martial beson se konkurrenca për të shënuar më shumë gola gjatë seancave stërvitore me Marcus Rashfordin është duke e ndihmuar Manchester Unitedin ta ketë një epërsi të madhe ndaj kundërshtarëve këtë sezon.

Transferimi i Romelu Lukakus në Inter e ka dhënë një vend shtesë në formacionin e parë për Marcus Rashfordin dhe Anthony Martialin, të cilët i ka shënuar nga dy gola këtë sezon – në dy ndeshjet e para, kundër Chelseat dhe Wolves.

Martial e ka rimarrë fanellën me numër nëntë të klubit dhe është duke e shijuar këtë fanellë, përderisa po luan përkrah sulmuesit tjetër të talentuar, Rashfordit.

“Në stërvitje, ne garojmë mes vete se kush po shënon më shumë gola. Ne e vlerësojmë se kush po i shënon golat më të mira dhe kush po shënon më së shumti gola”, ka thënë Martial në një intervistë të dhënë për Sky Sports.

“Kush po fiton? Epo, varet… Nganjëherë ai, nganjëherë unë. Në ndeshje, Marcusit i pëlqen të luaj në mes, sikur mua. Nuk më pengon ta liroj atë pozitë, ne ndërrohemi gjatë ndeshjeve”.

“Nuk më pengon ta lë atë ta marrë drejtimin e sulmit nganjëherë. Kjo na ndihmon t’i terrorizojmë mbrojtjet e kundërshtarëve dhe unë shpresoj se mund ta vazhdojmë këtë edhe gjatë gjithë sezonit”.

Martial iu bashkua pjesës tjetër të bashkëlojtarë që u solidarizuan me Paul Pogba, pasi ky i fundit u bë viktimë e abuzimit në baza racore për shkak se e humbi një penallti në barazimin 1:1 kundër Wolves.

“Nganjëherë ti nuk mund të çrrënjosësh diçka nga shoqëria. Në fushë, ne nuk mund të bëjmë asgjë për këtë. Si lojtarë, në mesin tonë ka njerëz të bardhë e me ngjyrë, njerëz të të gjitha racave”, shtoi Martial.

“Shprehja franceze është “jemi të gjithë të njëjtë”. Njerëzit që e përdorin këtë gjuhë të urrejtjes duhet të pezullohen. Njerëzit shkojnë në stadiume të futbollit për ta shijuar kohën e tyre dhe lojën dhe nuk ka vend për këto gjëra. Jam pro dashurisë, jo urrejtjes”.

Manchester Unitedi pritet të takohet me përfaqësues nga Twitteri gjatë javëve në vazhdim për t’i diskutuar zgjidhet e mundshme të kësaj dukurie – abuzimit në baza racore ndaj futbollistëve përmes rrjeteve sociale. 

(Kosova Sot Online)