Emery e nxit publikisht Mustafin të largohet nga Arsenali

  • 23 August 2019 - 09:19
Emery e nxit publikisht Mustafin të largohet nga Arsenali

Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, i ka nxitur publikisht Shkodran Mustafin dhe Mohamed Elnenyn të largohet nga Arsenali këtë muaj për të mirën e karrierës së tyre.

Shkodran Mustafi dhe Mohamed Elneny nuk kanë luajtur në dy ndeshjet hapëse të sezonit të ri të Premierligës e Unai Emery e ka pranuar publikisht se i ka thënë Mustafin se mund të largohet.

Por, spanjolli tani e ka pranuar se Elneny është gjithashtu i lirë për t’u larguar dhe ua ka bërë të qartë të dy futbollistëve se ata do të bënin mirë për vete ta gjenin ndonjë klub të ri para 2 shtatorit, kur mbyllet afati kalimtar për klubet evropiane.

“Ne i kemi disa lojtarë, ata e dinë situatën e tyre. Për shembull, Elneny dhe Mustafi e dinë pozitën e tyre në skuadër dhe unë me të vërtetë dua që lojtarët të jenë të lumtur këtu, dua që lojtarët të jenë protagonistë këtu”, ka thënë Emery.

“Vitin e kaluar me Mustafin dhe Elnenyn… kur ata nuk luanin, nuk ishin të lumtur. Unë fola me ta shumë herë gjatë vitit të kaluar dhe këtë parasezon dhe mendoj se do të ishte pozitive që ata të largohen dhe ta gjejnë një klub tjetër ku mund të jenë protagonistë dhe të lumtur dhe t’i vazhdojnë karrierat”.

Pas një fillimi premtues në Arsenal, pas transferimit nga Baseli në janar të vitit 2016, Elneny nuk ka arritur ta zë një vend në formacionin e parë të klubit, as nën Arsene Wengerin e as nën Unai Emeryn.

Sezonin e kaluar, ai i bëri 17 paraqitje në të gjitha garat – por vetëm tetë prej tyre ishin në kuadër të Premierligës dhe vetëm në katër ishte titullar.

Ndërsa, Mustafi ka qenë caku i shumë kritikave gjatë tre vjetëve të tij në Londër, pasi u transferua nga Valencia për 35 milionë funte në vitin 2016.

Ai u fishkëllye nga tifozët gjatë turneut paraseoznal të klubit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë verë, si dhe gjatë Emirates Cup muajin e kaluar, kur Arsenali u përball me Lyonin.

Megjithatë, përkundër vështirësive të tyre, Emery insiston se të dy janë futbollistë të mirë dhe se mund të jenë të suksesshëm diku tjetër.

“Ata janë lojtarë shumë të mëdhenj. Por, për shkak të rrethanave, ata do të kenë më pak mundësi për ta shfaqur kapacitetin e vet dh të jenë të lumtur me minutat e lojës që mund t’ua japim ne”, shtoi Emery.

“Por, ata e dinë situatën dhe unë me të vërtetë ua uroj atyre më të mirën dhe mendoj se më e mira për të është që të jenë protagonistë diku tjetër dhe ta provojnë një sfidë të re”.

“Ne i respektojmë ata, ata po stërviten me ne. Por, ata e dinë situatën e tyre dhe unë vetëm ua uroj më të mirat”. 

(Kosova Sot Online)