Careca – Icardit: Shko në ferr nëse na refuzon

  • 23 August 2019 - 11:48
Careca – Icardit: Shko në ferr nëse na refuzon

Legjenda e Napolit, Careca, është shprehur i zemëruar me Mauro Icardin, për të cilin është spekuluar se është interesuar Napoli, duke i uruar argjentinasit të shkojë në ferr nëse nuk e dëshiron këtë transferim.

Ish-kapiteni i Interit, që pritej të largohej nga San Siro këtë verë, ka qenë i përfolur për një transferim në Napoli. Mediat italiane raportojnë se klubi e pret vendimin përfundimtar të argjentinasit këtë javë.

Icardi, 26-vjeçar, ka qenë burimi i shumë incidenteve kontroverse gjatë kohës së tij në Inter dhe ai pritet të mos gjejë vend në formacionin e parë të Antonio Contes për sezonin e ri. Kjo pasi që tani në skuadër ka ardhur Romelu Lukaku nga Manchester Unitedi, i cili edhe ia ka marrë Icardit fanellën me numër nëntë.

“A jemi të gjithë duke e pritur përgjigjen e tij? Nëse nuk dëshiron të vijë, shkoftë në ferr. A e ka kuptuar ai se kush është Napoli, çfarë është San Paolo, kush janë tifozët Azzurri?”, ka thënë Careca në një intervistë të dhënë për Il Mattino.

“A e kupton ai se shënimi i golave me atë fanella nuk vlen sa bota? Nëse ai nuk dëshiron të vijë, do të jetë më mirë nëse nuk vjen. Nëse unë do të isha në Napoli, nuk do ta humbja as edhe një sekondë tjetër për të”.

58-vjeçari Careca, i cili i kishte shënuar 30 gola në 64 ndeshje për Brazilin, i kishte kaluar gjashtë sezone në Napoli, nga 1987 deri më 1993. Ai shënoi në të dyja ndeshjet në fitoren në finalen e Kupës së UEFA-s në vitin 1989, para se ta fitojë titullin e ligës dhe Super Kupës italiane vitin vijues.

Në anën tjetër, Napoli do ta nisë sezonin 2019/20 të Serisë me ndeshjen si mysafir kundër Fiorentinës të shtunën, para një përballjeje intriguese me Juventusin dhe ish-trajnerin Maurizio Sarrin xhiron vijuese. 

(Kosova Sot Online)