PSG-ja i jep ultimatum Barcelonës për Neymarin

  • 23 August 2019 - 11:50
PSG-ja i jep ultimatum Barcelonës për Neymarin

Mediumi katalonas RAC1 raporton se drejtuesit e Paris Saint-Germainit janë të zemëruar me situatën e Neymarin dhe tani ata i kanë dhënë ultimatum Barcelonës për transferimin e brazilianit.

Pasi që deri më tani të gjitha ofertat e Barcelonës për transferimin e Neymarin kanë dështuar, katalonasit janë duke e përgatitur edhe një ofertë të fundit. Megjithatë, koha për ta është e limituar.

Paris Saint-Germaini i ka thënë presidentit të Barcelonës, Josep Maria Bartomeus, se nëse nuk marrin ofertë të përshtatshme deri sot në mesditë, ata do të ecin përpara me negociatat me Real Madridin, ndërsa klubi  i tretë në këtë radhë është Juventusi.

Sipas Cadena SER, Barcelona dhe Paris Saint-Germaini kishin arritur marrëveshje verbale për 170 milionë euro për brazilianin të enjten, edhe pse në këtë marrëveshje pati edhe detaje të tjera për të cilat s’u arrit ende marrëveshje.

Megjithatë, një ofertë e tillë nuk u bë formalisht, duke e lënë kështu PSG-në jashtëzakonisht të zemëruar me klubin katalonas. Për këtë arsye, parisienët i kanë dhënë ultimatum katalonasve.

Barcelona dhe Neymari, të pakënaqur me njëri-tjetrin

Ndërkohë, probleme raportohet se ka edhe në mes të Barcelonës dhe Neymarit. Lojtari kishte pritur që klubi do të ofronte më shumë para për të dhe tani ka filluar të dyshojë se katalonasit s’e kanë seriozisht për të.

Në të njëjtën kohë, Barcelona është e pakënaqur që Neymari nuk ka kontribuar në këtë transferim duke e deklaruar publikisht dëshirën për t’u kthyer në Camp Nou gjatë këtij afati kalimtar të verës.

(Kosova Sot Online)