Solskjaer ia lë derën hapur Sanchezit për t’u larguar: Jemi në bisedime me disa klube

  • 23 August 2019 - 12:36
Solskjaer ia lë derën hapur Sanchezit për t’u larguar: Jemi në bisedime me disa klube

Manchester Unitedi po ia lë derën e largimit hapur Alexis Sanchezit gjatë këtij afati kalimtar të verës, pasi që Ole Gunnar Solskjaer e ka pranuar se kiliani është në negociata me disa klube.

Gjatë këtij afati kalimtar të verës është spekuluar se sulmuesi 30-vjeçar do të largohet nga Old Traffordi, pasi nuk arriti ta zë një vend në formacion e parë përkundër që për të kishte pritshmëri të mëdha pas transferimit nga Arsenali në janar të vitit 2018.

Jose Mourinho e kompletoi transferimin e Sanchezit, duke e mposhtur rivalin e qytetit, Manchester Cityn, në garën për sigurimin e shërbimeve të kilianit.

Megjithatë, portugezi nuk arriti ta nxjerrë më të mirën nga kiliani, i cili kontribuoi vetëm me pesë gola në gjithsej 45 paraqitje për klubin anglez. Forma e tij u përkeqësua nga lëndimet e shpeshta.

Tani po përfolet për një transferim drejt Serisë A dhe Interi besohet se është destimacioni favorit për të. Asnjë marrëveshje nuk është arritur ende, por Solskjaer e pranon se ai mund të transferohet para së të mbyllet afati kalimtar evropian, më 2 shtator.

“Ka ende negociata me disa klube, por ai është duke punuar shumë dhe do ta shohim në shtator se çfarë do të ndodhë”, u shpreh trajneri i Djajve të Kuq. 

(Kosova Sot Online)