Valon Berisha zemëron serbët me veprimin e tij të fundit

  • 23 August 2019 - 15:42
Valon Berisha zemëron serbët me veprimin e tij të fundit

Mesfushori i ekipit kombëtar të Kosovës dhe Lazios, Valon Berisha, ka nxitur reagime të ashpra nga mediat dhe tifozët serbë të futbollit me veprimin e tij të fundit në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram.

Valon Berisha e kaloi një sezon të vështirë në fanellën e Lazios. Lëndimet e kohëpaskohshme ia pamundësuan ta gjejë formën ideale në kampionatin italian, ku ishte transferuar nga Salzburgu.

Megjithatë, së fundmi mesfushori kosovar i është bashkuar ekipit të Lazios në përgatitje dhe po ushtron fort për t’u rikthyer Valoni i dikurshëm. Futbollisti i lindur dhe rritur në Norvegji shpreson ta ketë një sezon pa lëndime dhe me formë të mirë.

Së fundi, ai postoi për sezonin e ri në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, ku shkroi: “Edhe dy ditë deri kur të fillojë sezoni i ri. Mezi po pres. Duke u lutur për një sezon të mirë duke qëndruar i shëndetshëm dhe duke e bërë atë që e dua. Forca Lazio”.

Megjithatë, ajo që bie në këtë sy është se në mesin e pesë fotografive të publikuara në këtë postim, në të parën ai shihet duke e bërë shqiponjën me duar.

Ky veprim i Berishës vjen pas reagimeve të shumta të mediumeve serbe gjatë javëve të fundit për veprimet e sportistëve shqiptarë. 

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Valon Berisha (@valon.berisha14_official) on

(Kosova Sot Online)