Zidane: Nuk mund ta imagjinoj largimin e Navasit

  • 23 August 2019 - 17:33
Zidane: Nuk mund ta imagjinoj largimin e Navasit

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane pranon se nuk dëshiron të humbasë portierin, Keylor Navas, në këtë afat kalimtar.

Sipas raportimit në mediat spanjolle, portieri kostarikan e kishte kërkuar largimin nga Los Blancos në këtë afat kalimtar, shkaku i minutazhës së vogël.

Por, trajneri francez ka deklaruar se nuk e dëshiron largimin e Navasit nga skuadra, pasi vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e planeve të tij.

“Unë nuk e shoh këtë skuadër pa të. Ai është një lojtar i rëndësishëm, gjithmonë ka qenë dhe do të jetë. Nuk mund ta imagjinoj largimin e tij”, ka thënë Zidane.

“Ai nuk më ka thënë që dëshiron të largohet, është këtu dhe dëshiron të luajë me ne. Kjo është shumë e rëndësishme. Ai gjithmonë ka qenë profesionist dhe kemi nevojë për të”. 

“Nuk më intereson kush do të vijë sepse Keylor do të jetë këtu dhe ai do të jetë i rëndësishëm. Ai gjithmonë e ka dhënë maksimumin në Real Madrid. Ky është mesazhi. Unë dua që Keylor të qëndrojë me ne”, përfundoi trajneri i madrilenëve.

Navas e ka humbur vendin e të parit në portën e skuadrës spanjolle, pas transferimit të Thibaut Courtoisit nga Chelsea në verën e kaluar.

(Kosova Sot Online)