Drenica e deklason Llapin, e mposht 3-0

  • 23 August 2019 - 19:01
Drenica e deklason Llapin, e mposht 3-0

Drenica e ka harruar shpejt humbjen e thellë nga fqinjët e Feronikelit javën e kaluar.

Kuqezinjtë janë këndellur menjëherë dhe e kanë shënuar një fitore të thellë të premten në hapje të xhiros së dytë të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.

Drenicasit e mposhtën Llapin me rezultat bindës, 3:0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Bajram Aliu”.

Harmon Van Dave Gbowea e kaloi në epërsi ekipin vendës në fillim të pjesës së dytë (51′) pasi në 45 minutëshin e parë nuk pati gola. 

Kurse, Osman Mëziu shënoi në minutën e 63-të gol të bukur nga gjuajtja e lirë për rezultatin 2:0.

E golin e tretë të Drenicës e shënoi Qemail Elshani, i cili realizoi me mjeshtri në minutën e 74-t.

Kjo ishte fitorja e parë e Drenicës këtë sezon, ndërkohë humbja e parë e Llapit.

(Kosova Sot Online)