Klubi norvegjez transferon Lionel Messin, tani e do Ronaldon

  • 24 August 2019 - 09:58
Klubi norvegjez transferon Lionel Messin, tani e do Ronaldon

Klubi i ligës së nivelit të tretë në Norvegji, IK Junkeren, e ka transferuar Lionel Messin – futbollistin 16-vjeçar që së fundi e ndryshoi emrin për ta bërë si të idhullit të tij në futboll.

Më herët i njohur si Daniel Are Knutsen, sulmuesi e mori vendimin e madh për ta emëruar veten pas yllit argjentins të Barcelona. Ky ndryshim iu aprovua atij shumë shpejt.

Me një emër të tillë, adoleshenti tani ka premtuar se do t’i arrijë pritshmëritë e krijuara për të dhe beson se stili i tij i lojës është i ngjashëm me atë të argjentinasit.

“Unë e kam pasur në plan ta ndryshoj emrin që një kohë të gjatë dhe Lionel Messi është idhulli im më i madh. Me përkushtimin tim ndaj futbollit, kishte logjikë ta provoja”, tha Messi norvegjez për VG.

“Unë dua të them se e jap më të mirën time për të luajtur si ai. Disa ngjashmëri është e mundur të shihen, por ndoshta nuk kam po aq talent sa ai. Kam kontroll të ngjashëm të topit dhe shpejtësi”.

“Ata që më njohin moti më thirrin ende me emrin tim të vjetër, ndërsa miqtë e ri më thërrasin Lionel ose Leo”.

Knutsen, apo Messi siç quhet tani, ka ende një rrugë të gjatë përpara vetes për ta arritur nivelin e idhullit të tij. Ai do të fillojë duke luajtur për skuadrën U16 të Junkerenit e jo ekipin e parë të tyre.

Përderisa ai nuk pritet të ketë ndikim të menjëhershëm në fushën e lojës, Messi është transferimi më interesant deri më tani i Junkerenit. Megjithatë, klubi norvegjez nuk dëshiron të ndalet këtu.

“Unë bëra shaka më parë se ne duhet ta kërkojmë Cristiano Ronaldon tani. Ne e dimë se është një Ronaldo në treg, i cili më parë kishte luajtur në Fauske, kështu që ne e dimë ku është ai”, ka thënë menaxheri i klubit, Runar Bo Eriksen.

Junkeren garon në ligën e nivelit të tretë të Norvegjisë, pasi që në vitin 2010 ata u promovuan nga kategoria e katërt.

Ndërkohë, Messi origjinal pritet ta luajë ndeshjen e tij të parë për Barcelonën në këtë sezon të dielën, pasi që në ndeshjen e parë mungoi shkaku i një lëndimi. 

(Kosova Sot Online)