Interi, shumë afër transferimit të Sanchezit

  • 24 August 2019 - 11:01
Interi, shumë afër transferimit të Sanchezit

Interi dhe Manchester Unitedi besojnë se do të arrijnë marrëveshje për transferimin e Alexis Sanchezit të hënën, sipas medieve italiane, pasi klubi italian e ngriti ofertën për pagesën e rrogës në 4.5 milionë euro.

Sipas La Gazzetta dello Sport, Tuttosport dhe disa medieve të tjera, e hëna do të jetë dita vendimtare për të ardhmen e sulmuesit kilian.

Ai pritet të transferohet në Interit në formë huazimi për sezonin e ardhshëm, me opsionin për ta blerë sezonin e ardhshëm për 15 milionë euro.

Për më tepër, Interi është i përgatitur ta rritë ofertën për shumën e pagës së Sanchezit që do ta paguajnë ata gjatë kohës sa kiliani është i huazuar te ta, nga katër në 4.5 milionë euro.

Manchester Unitedi do të detyrohet ta paguajë shumicën e pagës së tij, që qëndron në 12 milionë euro në sezon. Tashmë klubi veçse ia ka paguar kilianit pjesën e dy muajve të parë.

Interi do të luajë kundër Lecces në San Siro të hënën në mbrëmje dhe zikaltrit shpresojnë se Alexis Sanchezi do të jetë në tribunë për atë ndeshje, para se t’i kryejë testet mjekësorë të martën.

Ndërkohë, Sanchezi nuk pritet të jetë në skuadrën e Manchester Unitedit për ndeshjen kundër Crystal Palace. 

(Kosova Sot Online)