France 24: Kosova, një bastion i papritur në botën e xhudos

  • 24 August 2019 - 16:18
France 24: Kosova, një bastion i papritur në botën e xhudos

Vendi i vogël dhe i ri i Kosovës është shfaqur si fuqi botërore në xhudo, sukseset e papritura të së cilëve janë drejtuar nga kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi.

11 vjet pasi Kosova e shpalli pavarësinë nga Serbia dhe në Lojërat e para Olimpike për vendin, sukseset e Kelmendit në Rio 2016 ia mundësuan Kosovës dhe 2 milionë banorëve të saj ta mposhtin vëllain e madh, Shqipërinë, që s’ka fituar kurrë medalje Olimpike në ndonjë sport, shkruan France 24.

Kelmendi do të kërkojë të shtojë edhe medalje tjetër të artë kur të garojë në Kampionatin Botëror në Tokio, që nis të dielën.

Historia e suksesit të Kosovës në xhudo u nis nga trajneri Driton “Toni” Kuka në qytetin e vogël të Pejës, ku ai e themeloi klubin e xhudos me vëllezërit e tij.

Dhoma stërvitore me një tavan që pikte ujë dhe tepihë të vjetëruar nuk e penguan klubin të prodhojë kampionë – autoritetet vendosën vetëm së fundi ta financojnë rinovimin e saj.

“Jam e sigurt se nëse nuk do të kishte qenë Toni, Kosova nuk do t’i kishte të gjitha këto medalje sot, veçanërisht medaljen e artë Olimpike”, ka thënë 28-vjeçarja Kelmendi për AFP.

Ajo u bë heroinë kombëtare falë sukseseve të saja në Rio, të cilat i ndoqi me tituj botërorë në vitin 2013 dhe 2014.

Në vendin e varfër ballkanik, ku futbolli është sporti kryesor, xhudistët nuk presin të jenë në krye të listës për ndihma financiare nga autoritetet. Ata i marrin vetëm 250 mijë euro në vit, siç ka bërë të ditur Kuka, nga 17 milionë eurot e buxhetit të qeverisë për sport.

Hakmarrje ndaj historisë

 Kelmendi, që i mban edhe tituj evropianë dhe dominoi në Lojërat Evropiane në Minsk këtë vit, është ylli më i ndritshëm në skuadrën e Kukës. Por, ajo nuk më është e vetme. Ajo tani e drejton një grup, anëtarët e së cilit synojnë titujt botërorë.

Distria Krasniqi, 25-vjeçare, është kampione e të rinjve dhe Nora Gjakoca, 28-vjeçare, e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian.

“Në grupmosha të ndryshme, tani ne i kemi 14 xhudistë që e kanë arritur nivelin më të lartë”, ka thënë 48-vjeçari Kuka.

 Shumica vijnë prej të njëjtës lagje.

Duke e krijuar një skuadër të fuqishme, Kuka është duke u hakmarrë për historinë turbulente të Kosovës, që e pati një ndikim t madh në karrierën e tij.

Në vitin 1992, kur Lojërat Olimpike në Barcelonë po afroheshin, Kuka u shpall xhudisti më i mirë në Jugosllavi në kateogrinë e djemve deri në 71 kilogramë dhe ishte njëri ndër favoritët për medalje.

Por, që nga viti 1989, situata kishte qenë e tensionuar në Kosovë – ku shumica e popullsisë, shqiptare, ishte nën sundimin e Slobodan Milosevicit nga Beogradi.

Për shkak të një lëvizjeje civile për rezistencë, të orkestruar nga “babai i kombit” Ibrahim Rugova, atletët shqiptarë u larguan nga skuadrat jugosllave.

“Ëndrra ime Olimpike u shua”, kujton Kuka, duke shtuar se ai i kishte mposhtur të gjithë medaljistët e Barcelonës, në rrugëtimit drejt atyre Lojërave Olimpike.

Stërvitjet në rrënoja

Në fund të luftës së viteve 1998-99, kur forcat ajrore të NATO-s e detyruan Beogradin t’i tërheqë trupat ushtarakë nga Kosova, Kuka e themeloi klubin e tij në një lagje të varfër, të cilën qytetarët e gjetën mjaft të shkatërruar kur u kthyen.

Fëmijët e tyre ishin studentët e tij të parë.

“Kosova ishte në rrënoja dhe fëmijët ishin të traumatizuar”, kujtoi ai.

Kelmendi, që jetonte vetëm 100 metra larg nga aty, ishte në mesin e atyre që iu bashkuan klubin, kujtoi trajneri.

“Nuk dija asgjë për këtë sport, por isha e lumtur”, tha Kelmendi. “Ne, fëmijët, nuk kishim asgjë tjetër për të bërë”.

Shpërthimi i Kelmendit në botën e xhudos i detyroi bashkëkombësit e saj të dalin në rrugë për të festuar.

“Ne i kemi transformuar fëmijët që kanë pësuar nga lufta në kampionë bote, duke e matur veten ndaj vendeve si Franca, Japonia e Brazili, që i kanë qindra xhudistë në dispozicion për skuadrat e tyre”, tha Kuka.

Për gazetarin sportiv në Kosovë, Arsim Maxheran, Kelmendi është “historia më e madhe e suksesit në vend, jo vetëm në sport”.

“Nuk ka asnjë titull që u ka ikur këtyre xhudistëve, të cilët vijnë nga e njëjta lagje”, tha ai.

Sukseset e tyre janë ngjitëse – sepse Peja tani i ka pesë klube të xhudos, me deri në 500 njerëz që stërviten aty,

Të përkëdhelurit e klubit të Kukës tani dëshirojnë ta sundojnë Tokion, ku Kampionati Botëror do të shërbejë si përgatitje për Lojërat Olimpike 2020.

Gjakova tha se ai ka planifikuar të shkojë në Japoni për “ta stolisur të gjithë punën e tij me një medalje”.

Kuka ndien se suksesi i grupit i ka ndihmuar atij t’i arrijë ambiciet e veta të Lojërave Olimpike, të cilat i ishin pamundësuar nga lufta.

“Ëndrra që pothuajse më ishte shuar një ditë tani është 100 për qind e arritur”, thotë ai. 

(Kosova Sot Online)