Maldini e Boban në Madrid, zbulohet strategjia e Milanit për të bindur futbollistin e Atletikos

  • 25 August 2019 - 12:57
Maldini e Boban në Madrid, zbulohet strategjia e Milanit për të bindur futbollistin e Atletikos

Drejtuesit e Milanit, përpara mbylljes së merkatos, duan t’i dhurojnë trajnerit Marko Xhampaolo një përforcim të fundit cilësor. Dhe kanë pikasur prej kohësh lojtarin që mund t’i nevojitet ish-trajnerit të Sampdorias.

Bëhet fjalë për Angel Korrean, sulmuesin aktualisht në radhët e Atletikos së Madridit. Klubi spanjoll e vlerëson argjentinasin me 50 milionë euro plus bonuse, shifër e konsideruar e lartë nga Paolo Maldini dhe Zvonimir Boban.

STRATEGJIA E “DJALLIT”

Milani i ka ofruar klubit spanjoll 40 milionë euro plus bonuse, shifër e konsideruar jo e mjaftueshme nga spanjollët që kërkojnë 55 milionë në total për ta lënë të lirë argjentinasin. Nuk ka shërbyer për asgjë “misioni” i menaxherit të lojtarit, Augustin Himenez, për të kërkuar të ulë pretendimet e “colchoneros”, të cilët me paratë që do të arkëtonin nga 24-vjeçari do të synonin Rodrigon e Valencias. 

UDHËTIM NË MADRID

Gjatë kësaj jave, sipas raportimit të mediave italiane, këta të fundit do të bëjnë një tjetër për pjekje për të bindur krerët e klubit të La Ligës. Parashikohet një tjetër udhëtim drejt Madridit. Ishfutbollisti kroat, sot në organikën e Milanit, do të takohet me homologët iberikë për të gjetur një marrëveshje.

Tifozët kuqezinj janë në pritje, të bindur, po ashtu si Xhampaolo, se një futbollist si 24-vjeçari do të rriste ndjeshëm nivelin e skuadrës. Korrea ndiqet nga “Djalli” prej më shumë se një muaji, vetë lojtari kërkon transferimin në Itali dhe ka vendosur të presë deri në ditët e fundit të merkatos. Madje, ka refuzuar edhe interesimin e Monakos. Ditët e ardhshme parashikohet të jenë vendimtare..

(Kosova Sot Online)