Majlinda me short të vështirë nesër, duele të vështira deri te medalja

  • 25 August 2019 - 23:46
Majlinda me short të vështirë nesër, duele të vështira deri te medalja

Majlinda Kelmendi nesër do të garojë në Kampionatin Botëror të xhudos, që po zhvillohet në Tokio të Japonisë.

Garat filluan sot – ku Distria Krasniqi e fitoi medaljen e bronztë – derisa do të zgjasin deri më 1 shtator, transmeton Insporti.

Shorti i hedhur për këto gara për Majlindën është i pavaforshëm sepse do të përballej si me Ai Shishimen, ashtu edhe me Uta Aben – dy japonezet që shihen si kundërshtare shumë të forta – para finales.

Majlinda, në kategorinë -52 kilogramë në rrethin e parë është e lirë, derisa për rrethin e dytë, shorti e ka vënë përballë fitueses së duelit Madelene Rubinstein – Luz Olvera.

Në rrethin e radhës, ajo në rast fitoreje do të ndeshej me fituesen e dueleve ndërmjet Sabiana Anestor e Tinka Easton, dhe Agata Perenc e Salimata Fofana.

Më pas, ajo mund të ketë përballë japonezen 25-vjeçare Ai Shishime, në çerekfinale të kampionatit botëror, në rast se triumfon edhe ndaj fitueses nga katërshja Anestor – Easton e Perenc – Fofana, gjithnjë në rast se fillimisht e kalon fituesen e duelit Olvera – Rubinstein.

Majlinda më pas do të mund të përballej me Uta Aben, që shihet si dueli më interesant i mundshëm në këtë kampionat botëror.

Abe, ashtu si Majlinda, kanë thënë se mezi do e prisnin përballjen ndaj njëra tjetrës.

Por, dueli ndërmjet Majlindës e 19-vjeçares Abe, nuk do të ishte në finalen e madhe për medaljen e artë, por në gjysmëfinale.

Të dy xhudistet do të duhet të mposhtin të gjithë kundërshtarët deri në çerekfinale, ku më pas në gjysmëfinale do të ndesheshin me njëra-tjetrën.

Abe është një herë kampione e botës, kur në Baku vitin e kaluar e kishte fituar medaljen e artë.

Majlinda, dy herë kampion e botës, kishte fituar të artën në Rio në vitin 2013, dhe në vitin 2014 në  Chelyabinsk.

Ajo garat e saj në kërkim të medaljes së tretë të artë në kampionate botërore, në Botërorin e Tokios do t’i ketë nesër (e hënë).
(Kosova Sot Online)