Majlinda Kelmendi: Motivimi dhe dëshira për të luftuar bëjnë që unë të fitoj ende

  • 26 August 2019 - 09:58
Majlinda Kelmendi: Motivimi dhe dëshira për të luftuar bëjnë që unë të fitoj ende

Majlinda Kelmendi thotë se dëshira e madhe dhe motivimi për të luftuar janë arsyet kryesore që i ndihmojë asaj të vazhdojë të fitojë akoma, edhe pse tashmë ka fituar gjithçka që mund të fitohet në sportin e xhudos.

Xhudistja kosovare, e cila është në luftë për titullin e tretë të botës në Kampionatin Botëror Tokyo 2019 që po zhvillohet momentalisht në Japoni, ka folur për Olympic Channel në lidhje me karrierën e vet të bujshme duke zbuluar arsyet që e mbajnë atë në krye të xhudos botërore.

Përkundër se ka fituar gjithçka në 10 vjetët e fundit, përfshirë medaljen e artë në Lojërat Olimpike dhe Kampionatin Botëror dy herë, 28-vjeçar kërkon më shumë.

“Jam e lumtur me karrierën time dhe me gjithçka që kam arritur deri më sot. Por, ende jam e motivuar dhe dua të luftoj akoma dhe mendoj se kjo është arsyeja pse unë ende fitoj në gara. Nuk jam e kënaqur me atë që e kam, dua ende më shumë”, tha Kelmendi.

Ajo foli edhe për presionin që gjithmonë ka rënë mbi supet e saj nga i gjithë vendi dhe thotë se është e lumtur që tani i ka edhe pesë shokë të skuadrës në ekipin kosovar të xhudos, të cilët janë në gjendje të fitojnë dhe t’ia largojnë presionin asaj.

“Më duhet të them se për një kohë të gjatë kam qenë më e mira në ekipin tim dhe, të jem e sinqertë, nuk ka qenë mirë për mua. Për shembull, në Lojërat Olimpike, bashkëlojtarja ime u lëndua dhe si pasojë i gjithë presioni nga vendi im ra përsëri mbi mua. Sot, jemi pesë veta në ekip që do të shkojmë në Lojërat Olimpike dhe tani është shumë më e lehtë për mua. Jam më e relaksuar. Sepse nëse unë nuk fitoj medalje, është një vajzë tjetër në kategorinë deri në 48 kilogramë që mund ta bëjë, nëse ajo nuk e bën, atëherë është një tjetër në kategorinë -57 kg që mund ta bëjë. Unë vetëm ua tregoj atyre mënyrën sesi duhet të punojnë nëse duan të bëhen kampione olimpike. E ndaj përvojën time me to, pra mendoj se po iu ndihmoj, shpresoj se po”, theksoi ajo.

Kelmendi është në gjysmëfinale të Botërorit Tokyo 2019, ku e pret dueli me japonezen, kampionen në fuqi Uta Abe. 

(Kosova Sot Online)