Nora Gjakova humb në çerekfinale, tani garon për të bronztën

  • 27 August 2019 - 09:13
Nora Gjakova humb në çerekfinale, tani garon për të bronztën

Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, ka pësuar disfatë në çerekfinale të Kampionatit Botëror, Tokio 2019, në kategorinë deri në 57 kilogramë. Kjo disfatë bën që ajo tani t’i futet garës për medalje të bronztë.

Gjatë dy ditëve të kaluara, Distria Krasniqi dhe Majlinda Kelmendi ia fituan Kosovës nga një medalje të bronztë, e sot edhe Nora Gjakova do të tentojë ta përsërisë këtë sukses të bashkëkombëseve të  veta.

Për t’iu futur garës për medalje të bronztë, Gjakova pësoi disfatë nga bullgarja Ivelina Ilieva në fazën çerekfinale, me ippon në “Golden Score”. Tani Ivelina e ka një vend të siguruar në gjysmëfinale, ku do ta vazhdojë ëndrrën për medalje të artë ose të argjendtë.

Rrugëtimin drejt së bronztës, Gjakova e nisi pa luftë në rundin e parë, ndërsa në rundin e dytë u ndesh me xhudisten nga Zelanda e re, Justine Bishop.

Ndërsa, në rundin e tretë, për ta zënë një vend në çerekfinale, u përball me xhudisten nga Taipei, Chen-Ling Lien.

Në ndeshjen e parë drejt medaljes së bronztë, Gjakova do të përballet me francezen Sarah Leonie Cysique.

Nora Gjakova i ka zhvilluar gjithsej 187 luftëra gjatë karrierës së vet, prej të cilave i ka fituar 62. Ajo është përballet tri herë më parë me bullgaren, duke triumfuar në dy prej këtyre rasteve. Për më tepër, Gjakova pati edhe renditje shumë më të mirë sesa kundërshtarja e saj – Gjakova është e treta në botë, ndërsa Ivelina e 30-ta.

Sot në Kampionatin Botëror, Kosovën e përfaqësoi edhe xhudisti tjetër, Akil Gjakova, i cili e ka humbur mundësinë për ndonjë medalje në këtë garë për shkak të disfatës në rundin e tretë.

Në anën tjetër, Loriana Kuka (-78kg) ndeshet të premten nga ora 05:00 e mëngjesit. 

(Kosova Sot Online)