Nora Gjakova mbetet pa medalje në Kampionatin Botëror

  • 27 August 2019 - 12:24
Nora Gjakova mbetet pa medalje në Kampionatin Botëror

Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, e ka përfunduar pa medalje rrugëtimin në Kampionatin Botëror, Tokio 2019, në kategorinë deri në 57 kilogramë.

Gjatë dy ditëve të kaluara, Distria Krasniqi dhe Majlinda Kelmendi ia fituan Kosovës nga një medalje të bronztë, e sot edhe Nora Gjakova shpresonte ta përsërisë këtë sukses të bashkëkombëseve të  veta.

Megjithatë, kjo ëndërr e saj u shua nga xhudistja franceze Sarah Leonie Cysique, e cila e mposhti kosovaren në ndeshjen e parë në kuadër të repesazhit për medalje të bronztë.

Për t’iu futur garës për medalje të bronztë, Gjakova pësoi disfatë nga bullgarja Ivelina Ilieva në fazën çerekfinale, me ippon në “Golden Score”. Ivelina do ta zhvillojë pas disa minutash ndeshjen gjysmëfinale, ku do ta vazhdojë ëndrrën për medalje të artë ose të argjendtë.

Rrugëtimin drejt së bronztës, Gjakova e nisi pa luftë në rundin e parë, ndërsa në rundin e dytë u ndesh me xhudisten nga Zelanda e re, Justine Bishop. Në rundin e tretë, për ta zënë një vend në çerekfinale, u përball me xhudisten nga Taipei, Chen-Ling Lien.

Nora Gjakova i ka zhvilluar gjithsej 188 luftëra gjatë karrierës së vet, prej të cilave i ka fituar 125. Edhe pse nuk ishte përballur asnjëherë me francezen Cysique, Gjakova e kishte epërsinë në renditjen botërore– Gjakova është e treta në botë, ndërsa Cysique e 19-ta.

Sot në Kampionatin Botëror, Kosovën e përfaqësoi edhe xhudisti tjetër, Akil Gjakova, i cili e ka humbur mundësinë për ndonjë medalje në këtë garë për shkak të disfatës në rundin e tretë.

Në anën tjetër, Loriana Kuka (-78kg) ndeshet të premten nga ora 05:00 e mëngjesit.

Image
Image

(Kosova Sot Online)