Shkëndija krenarinë ua shndërron në dëshpërim shqiptarëve, intervenon pronari

  • 27 August 2019 - 12:54
Shkëndija krenarinë ua shndërron në dëshpërim shqiptarëve, intervenon pronari

Eliminimi i hershëm dhe me shije të keqe nga garat evropiane dhe fillimi shumë i dobët i kampionatit të ri në Maqedoni ka bërë që Shkëndija krenarinë te tifozët shqiptarë ta shndërrojë në dëshpërim. Më i dëshpëruari rezulton të jetë pronari i klubit kuq e zi, Lazim Destani, i cili pasi e mori nën pronësi klubin tetovar arriti ta kthej në dominues në futbollin maqedonas, duke ia marrë dominimin Vardarit.

Mirëpo, në kampionatin e porsafilluar, Shkëndija ka filluar dobët, duke e regjistruar veç një barazim krahas dy humbjeve, gjë që ia ka humbur durimin numrit 1 të saj.

“Me këtë paraqitje timen në këtë fillim kampionati, dua ta shpreh pakënaqësinë time lidhur me nivelin e paraqitjes dhe rezultatet e dobëta të Shkëndijës të cilat po shënojnë një rënie dëshpëruese që s’duhet lejuar të vazhdojë më tej”, ka thënë Destani.

“Gjatë kësaj vere, ne nuk po e shikojmë atë Shkëndijë që u mësuam ta shohim tash e sa vite. Skuadra në vend që të avancojë me sukseset e saja, në ndeshjet evropiane ndodhi e kundërta, Shkëndija nuk i solli rezultatet që në mënyrë të arsyeshme i prisnin tifozët e kuqezinjve. Pas eliminimit në kompetecionet evropiane, Shkëndija i është kthyer kampionatit të vendit ku tashmë janë zhvilluar tre xhirot e para”, ka shtuar ai.

Destani ka krijuar grup profesional që ta analizojë gjendjen e klubit kuq e zi dhe ta gjejë rrugëdaljen nga kjo situatë. “Humbjet e dy ndeshjeve të para dhe mungesa e rezultatit pozitiv në ndeshjen e xhiros së tretë janë tejet zhgënjyese, si për mua e rrethin tim ashtu dhe për tifozët e Shkëndijës e për ‘Ballistët’. Këto rezultate të dobëta paraqesin tregues aparent se këtu diçka nuk po funksionon siç duhet”, thotë ai.

“I shtyrë nga këto rrethana, dua ta njoftoj opinionin sportdashës se unë tashmë kam ngritur një grup profesional pune i cili menjëherë ka nisur me shqyrtimin e gjendjes në klub për të konstatuar të gjitha lëvizjet dhe ndryshimet që duhet bërë në të gjithë sektorët e klubit”, shton Destani, që pret nga ky grup që sa më shpejt ta kryejë punën në mënyrë që Shkëndija t’i rikthehet formës më të mirë.

(Kosova Sot Online)