“Kurrë mos thuaj kurrë” – Robbeni po e shqyrton mundësinë e kthimit në futboll

  • 27 August 2019 - 14:32
“Kurrë mos thuaj kurrë” – Robbeni po e shqyrton mundësinë e kthimit në futboll

Ish-futbollisti holandez i Bayern Munichut, Arjen Robben, ka lënë të kuptohet se mund t’i kthehet futbollit vetëm disa javë pasi u pensionua.

Anësori 35-vjeçar i dha fund karrierës së tij 19-vjeçare si futbollist profesionist në korrik të këtij viti, mirëpo ai nuk e përjashton mundësinë që t’i kthehet futbollit edhe një herë.

Robbeni i kaloi dhjetë sezone në Bayern Munich, pasi kishte fituar përvojë duke luajtur në PSV, Chelsea dhe Real Madrid.

Ai i fitoi titujt e ligave në Gjermani, Holandë, Angli dhe Spanjë dhe thotë se ai do ta shqyrtojë mundësinë e kthimit në fushën e blertë nëse e merr malli për këtë sport.

“Unë gjithmonë them: Kurrë mos thuaj kurrë”, u shpreh Robbeni në një intervistë të dhënë për NPO Radio.

“Ndoshta brenda një apo dy muajve, unë do ta kem një ndjenjë të çuditshme, do të më mungojnë e gjitha kjo tepër shumë dhe do të vendos që të kthehem”.

‘Por, natyrisht, sa më gjatë që të jesh i pensionuar, aq më e mirë do të jetë. Unë nuk mendoj se kam shumë gjasa për t’u kthyer’.

Robbeni, i cili e shënoi golin e fitores kundër Borussia Dortmundit në finalen e Ligës së Kampionëve 2013, e la futbollin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i ndihmuar Bayernit ta fitojë titullin e shtatë radhazi të Bundesligës.

“Pa asnjë dyshim, është vendimi më i vështirë që e kam marrë në karrierën time”, tha Robbeni për pensionimin e tij.

Robbeni i ka disa opsione nëse vendos t’i kthehet futbollit. Për të do të intereson klubet nga Kina dhe SHBA-të, mirëpo mund edhe të kthehet në vendlindje, Holandë, për ta përfunduar karrierën aty ku e kishte nisur. 

(Kosova Sot Online)