Kosova i nis stërvitjet për ndeshjet kualifikuese për EURO 2021

  • 27 August 2019 - 20:28
Kosova i nis stërvitjet për ndeshjet kualifikuese për EURO 2021

Ekipi kombëtar i grave i Kosovës i ka filluar sot përgatitjet për ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2021 kundër Turqisë, e cila do të zhvillohet pas tre ditëve.

Kosova e pret Turqinë të premten në orën 20:00, në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Në stërvitjen e parë në stadiumin e Agron Rama në Obiliq, trajnerja Afërdita Fazlija me ndihmësit e saj, Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli punuan me intensitet më të ulët me futbollistet, duke pasur parasysh se gjatë fundjavës që të gjitha ishin të angazhuara në ndeshje kampionale.

“Të gjitha lojtaret janë në formë të mirë dhe me entuziazëm të madh e presin sfidën kundër kombëtares turke, me shpresë për ta nisur mbarë këtë cikël kualifikimesh, i cili për herë të parë vjen me format të ndeshjeve vajtje-ardhje”, thuhet në një njoftim të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Nesër, Kombëtarja do t’i zhvillojë dy seanca stërvitore, paradite në orën 10:30 dhe pasdite në orën 17:30. Të dyja stërvitjet mbahen në stadiumin Agron Rama në Obiliq, po ashtu.

Kosova bën pjesë në Grupin A, së bashku me Holandën, Rusinë, Turqinë, Slloveninë dhe Estoninë.


(Kosova Sot Online)