Vela e pranon se ishte shumë afër kalimit në Barcelonë

  • 28 August 2019 - 09:19
Vela e pranon se ishte shumë afër kalimit në Barcelonë

Sulmuesi i Los Angeles FC, Carlos Vela, e ka pranuar se kishte qenë shumë afër t’i bashkohej Barcelona gjatë afatit kalimtar të janarit, duke e konfirmuar se gjiganti spanjoll kishte ofruar ta transferojë atë në formë huazimi.

Pasi i shënoi 14 gola dhe i bëri 13 asiste në sezonin e tij debutues për LAFC, Carlos Vela ngjalli interesim te Barcelona, të cilët e kaluan afatin kalimtar të janarit duke e kërkuar një sulmues të ri.

Meksikani ishte në listën e lojtarëve për të cilët spekulohej për një kalim te klubi katalonas. Mirëpo një transferim i tillë nuk u realizua asnjëherë, pasi që Barcelona e mori Kevin-Prince Boatengun në vend të tij.

Boatengu i bëri vetëm katër paraqitje gjithsej për Barcelonën, përderisa Vela e kaloi pushimin e dimrit duke u përgatitur për sezonin e tij të dytë në Major League Soccer, nivelin e parë të futbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, Vela e pranoi se situata mund të kishte qenë shumë më ndryshe pasi që, nëse do të varej vetëm nga ai, ai do t’i ishte bashkuar skuadrës së Barcelonës në atë periudhë.

“Me të vërtetë isha shumë afër transferimit. Në muajin e dytë të pushimeve, isha aty me një “pina colada” dhe agjenti im më telefonoi për të më thënë: “Shiko, Barcelona po të kërkon. Ata të duan ty për katër muaj dhe pastaj mund të kthehet në LA””, tregoi Vela.

“Unë vetëm i thashë po, nuk më interesoi as për para e as për asgjë tjetër. I thashë se do të filloja të stërvitesha qysh të nesërmen dhe se vetëm më duhen rreth dy javë për të qenë sërish në formën më të mirë”.

“Klubeve si Barcelona e Real Madridi nuk mund t’u thuash jo… Nëse do të kishte qenë vetëm zgjedhja ime, do ta kisha pranuar ofertën”.

Vela ka vazhduar të dominojë në MLS edhe këtë sezon, duke iu afruar edhe më shumë rekordit për më së shumti gola të shënuar brenda një sezoni të vetëm në ligën amerikane. 

(Kosova Sot Online)