Xhaka, më i mirë se Shaqiri

  • 28 August 2019 - 13:37
Xhaka, më i mirë se Shaqiri

Ish-trajneri i Baselit, Heiko Vogel e ka bërë një krahasim në mes të dy yjeve shqiptare të futbollit, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, me të cilët kishte punuar në klubin zviceran.

Heiko Vogel e ka kujtuar kohën kur e udhëhiqte Baselin dhe kur punonte me dy yjet e futbollit shqiptar, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri.

Dhe, ish-trajneri i klubit zviceran e ka bërë një krahasim në mes të këtyre dy futbollistëve.

Ai madje ka thënë se Xhaka pa dyshim është futbollisti më impresionuese me të cilin ka punuar ndonjëherë.

“Ishte koha kur Graniti ishte bërë kampion i botës me Zvicrën U-17. Ishte koha e pushimeve pasi po luanin kombëtaret dhe ne e zhvilluam një ndeshje miqësore me Baselin. Graniti u inkuadrua në lojë në minutën e 70-të. Në të 75-ën e mori topin, shkoi disa metra përpara dhe goditi nga 25 metra, për të shënuar gol”, kujton Vogel për ‘Goal”.

“Ende më kujtohet se si isha ulur në autobus pas lojës dhe po mendoja: Ju po flisni për Shaqirin? Xhaka është më i mirë. Ky ishte fillimi i dashurisë sime personale për të. Graniti ishte jashtëzakonisht i pastër në moshën 18 vjeçare dhe kishte vizion. Ai ishte lider i lindur natyral. Edhe Momo (Salah) ishte impresionuese, por në mënyra tjera”, ka përfunduar Vogel.

Pasi bënë emër në Basel, Xhaka ishte transferuar në Borussia Monchengladbach, e më pas në Arsenal, kurse Shaqiri kishte disa eksperienca: Bayern Munich, Inter, Stoke City dhe tash Liverpool.

Të dy janë pjesë e rregullt dhe mjaft e rëndësishme e Përfaqësueses së Zvicrës. 

(Kosova Sot Online)