Kushëriri 18-vjeçar i Gerrardit e akuzon Liverpoolin se po e mban me zor në skuadër

  • 28 August 2019 - 15:53
Kushëriri 18-vjeçar i Gerrardit e akuzon Liverpoolin se po e mban me zor në skuadër

Sulmuesi adoleshent, Bobby Duncan, e ka akuzuar Liverpoolin se e kishte mbajtur atë në skuadër përkundër dëshirës së tij për t’u larguar dhe se ia solli dëmtime në shëndetin mendor, pasi klubi anglez ia refuzoi Fiorentinës ofertën e dytë për huazimin e futbollistit, që është kushëriri i Steven Gerrardit.

Në një deklaratë tronditëse, të lëshuar nga përfaqësuesit e 18-vjeçarit, pretendohet se Bobby Duncan nuk ka dalur nga shtëpia e tij që katër ditë për shkak të stresit që ia ka shkaktuar vendimi e Liverpoolit të mos e lejojë të largohet në formë huazimi.

Përmes kësaj deklarate bëhet e ditur se Duncan nuk do të kthehet në klub dhe aty kritikohet ashpër sjellja e drejtorit sportiv të Liverpoolit, Michael Edwards.

Fiorentina dhe Norsjaelland bënë ofertë gjatë këtij afati kalimtar të verës për ta marrë Duncanin në formë huazimi për sezonin e ri, me opsionin për ta blerë atë në mënyrë permanente verën e ardhshme.

Mirëpo, klubi anglez i refuzoi të gjitha ofertat për futbollistin e talentuar, përkundër që për të nuk ka vend në ekipin e parë këtë sezon.

Duncani dëshiron të kalojë te Fiorentina. Por Liverpooli së fundi e refuzoi ofertën e klubit italian, që kishte synuar ta huazonte për këtë sezon, me detyrimin për ta blerë atë verën e ardhshme nëse futbollisti i bën pesë paraqitje për ekipin e parë verën e ardhshme.

“Shumë gjëra janë thënë gjatë javëve të fundit sa i përket të ardhmen se Bobby Duncanit në Liverpool”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga agjenti i futbollistit, Saif Rubie.

“Dhe sot është fundi i durimit tonë me sjelljen e drejtorit sportiv të Liverpoolit, Michael Edwards. Para disa muajve, Bobby u takua me drejtuesit e klubit dhe aty u bë e qartë se ai nuk është i lumtur me klubin për shkak të disa arsyeve”.

“Ne punuam shumë për të siguruar oferta nga klubet për Bobbyn, pasi që askush s’dëshironte t’i paguante 200 mijë funte për një lojtar që s’ka luajtur asnjëherë për ekipin e parë”.

“Duke i lënë të gjitha këto anash, arsyeja e vërtetë pse Bobby mungoi në ndeshjen e ekipit U-23 kundër Southamptonit të hënën është sepse ai ka pasur probleme mendore me të gjitha stresin që ia ka shkaktuar klubi”.

“Stresi i shkaktuar pasi klubi i tha atij se mund të largohet dhe pastaj bëri çmos për ta detyruar atë të qëndrojë në skuadër, përkundër dëshirës së tij për t’u larguar”.

“Ai paguhet pak dhe e ka vetëm një vit të mbetur në kontratën e re dhe Liverpooli na ka thënë se s’do t’i japë ofertë të re. Bobby nuk ka dalur nga dhoma e tij që katër ditë për shkak të kësaj dhe ai kurrë nuk do të kthehet më në Liverpool. Mua më intereson vetëm mirëqenia e tij”.

“Hierarkia e Liverpoolit nuk ka shfaqur asnjë pikë konsiderate për të gjithë këtë situatë dhe madje i kanë shkruar atij se do ta dënojnë dhe do ta detyrojnë të qëndrojë atë në klub deri në janar për t’ia dhënë një mësim”.

(Kosova Sot Online)