Zyrtare: Interi e transferon Biraghin

  • 29 August 2019 - 10:57
Zyrtare: Interi e transferon Biraghin

Interi e ka huazuar edhe zyrtarisht mbrojtësin e majtë të Fiorentinës, Cristiano Biraghin, me opsion për ta blerë përfundimisht në fund të sezonit.

Biraghi konfirmoi mbrëmë se e ka realizuar kalimin e ëndërruar në Inter, por vetëm sot në mëngjes është zyrtarizuar transferimi i tij.

26-vjeçari rikthehet në San Siro përkohësisht për pjesën e mbetur të sezonit që sapo ka filluar.

Por, zikaltrit e kanë mundësinë për ta blerë atë përfundimisht për 12 milionë euro në fund të sezonit.

Besohet se ai është pajtuar të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me pagë vjetore rreth 2 milionë euro me Interin.

Biraghi është nga qyteti i Milanos dhe karrierën e kishte nisur në akademinë e Interit, para se të shitej në Pescara më 2016.

Ai u rrit në një lojtar fantastik në dy sezonet e fundit me Fiorentinën, duke e marrë edhe ftesën për të luajtur për Kombëtaren e Italisë gjatë kësaj kohe. 

(Kosova Sot Online)