Anglia e lë futbollistin e njohur jashtë listës për ndeshjen me Kosovën

  • 29 August 2019 - 17:46
Anglia e lë futbollistin e njohur jashtë listës për ndeshjen me Kosovën

Përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate e ka lënë jashtë listës së futbollistëve të ftuar për ndeshjen me Kosovën, mbrojtësin e djathtë Kyle Walker. “Tre Luanët” do të përballen me “Dardanët” më 10 shtator, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Euro 2020.

Përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate e ka publikuar sot listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2020, ndaj Bullgarisë dhe Kosovës, të cilat do të luhen në pjesën e parë të muajit shtator.

Southgate i ka ftuar dy futbollistë të rinj për herë të parë, Aaron Wan-Bissaka e Tyrone Mings, por ndërkohë vërehet mungesa e një lojtari të njohur si Kyle Walker.

Mbrojtësi i djathtë, i cili i ka zhvilluar 48 ndeshje me Kombëtaren e Anglisë, ka përfunduar jashtë listës prej 25 futbollistëve të ftuar për shkak të konkurrencës së fortë.

29 vjeçari luan në pozitën e mbrojtësit të djathtë, por ishte zhvendosur në qendër të mbrojtjes gjatë rrugëtimit të Anglisë deri në gjysmëfinale të Botërorit 2018.

Mungesa e tij vjen si rezultat i shpërthimit të Wan-Bissakas, i cili u ftua për herë të parë, por edhe për shkak se mbrojtësi i djathtë i Tottenhamit, Kieran Trippier u ftua përsëri pasi kishte munguar në fazën finale të Ligës së Kombeve.

Anglia dhe Kosova do të përballen në mes vete më 10 shtator.

(Kosova Sot Online)