Fjalimi i çuditshëm i Cantonas i lë të habitur Messin e Ronaldon

  • 30 August 2019 - 09:50
Fjalimi i çuditshëm i Cantonas i lë të habitur Messin e Ronaldon

Eric Cantona i la të habitur shikuesit gjatë fjalimit të tij për Zotin, luftën dhe krimet, pasi u shpërblye me çmimin presidencial të UEFA-s të enjten në mbrëmje.

Legjenda e Manchester Unitedit u shpërblye me çmimin presidencial të UEFA-s mbrëmë, gjatë shortit për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Atij iu dha çmimi nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.

Çmimi iu dha francezit për karrierën mbresëlënëse në futboll dhe përkushtimit të tij në shoqata bamirëse pas pensionimit nga karriera si futbollist profesionist.

Megjithatë, fjalimi i tij i la shumë persona të habitur – përfshirë këtu Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon. Ai foli për Zotin, para se të hynte në detaje për krimet dhe luftërat.

“Siç janë mizat për djemtë e papërmbajtshëm, ashtu jemi ne për perënditë; ata na vrasin si të ishte sport për ta”, tha Cantona duke iu referuar veprës së William Shakespeare, “Mbreti Lear”.

“Së shpejti shkenca do të jetë në gjendje të na i dëshmojë jo vetëm plakjen e qelizave, por së shpejti shkenca do të jetë në gjendje t’i përmirësojë qelizat tona në atë gjendje sa ne të bëhemi të pavdekshëm”.

“Vetëm aksidentet, krimet e luftërat do të jenë në gjendje të na vrasin. Mirëpo, fatkeqësisht, krimet e luftërat do të shumëfishohen. E dashuroj futbollin. Faleminderit”.

(Kosova Sot Online)