Pique: Maguire mund t’i ndihmojë Man Unitedit ta fitojë Premierligën

  • 30 August 2019 - 11:46
Pique: Maguire mund t’i ndihmojë Man Unitedit ta fitojë Premierligën

Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, shpreson se transferimi i Harry Maguiret në Manchester Unitedi mund t’i ndihmojë ish-klubit të tij të bëhet favorit për trofeun e Premierligës sërish.

Harry Maguire u bë mbrojtësi më i shtrenjtë në botë, kur u transferua nga Leicester City në Manchester United për 80 milionë funte, gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Pique beson se transferimi i Maguire mund ta ketë një rol të ngjashëm me transferimin e Rio Ferdinandit në “Old Trafford” nga Leeds në vitin 2001, përderisa klubi është duke tentuar ta fitojë titullin e parë të ligës që prej pensionimit të Sir Alex Fergusonit, në vitin 2013.

Ferdinandi u bë shtylla e mbrojtjes së Manchester Unitedit për më shumë se një dekadë, duke i ndihmuar klubit t’i fitojë gjashtë trofe të Premierligës dhe trofeun e Ligës së Kampionëve në vitin 2008.

Pique gjithashtu e theksoi ndikimin e Virgil Van Dijkut, i cili i ndihmoi Liverpoolit ta fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, vetëm 18 muaj pas transferimit të tij për 75 milionë funte nga Southamptoni.

“Ka ndodhur më parë me Van Dijkun dhe edhe më parë, para dhjetë vjetëve, me Rio Ferdinand. Ata e kanë traditë të investojnë shumë në mbrojtës të mirë dhe Harry Maguire është një mbrojtës i mrekullueshëm. Shpresoj se ata do të jenë të parët sërish”, ka thënë Pique.

“Manchester Unitedi ka qenë duke luftuar për kualifikim në Ligën e Kampionëve gjatë viteve të fundit, por ata duhet të tentojnë ta fitojnë titullin e Premierligës. Shpresoj se me këtë transferim, ata do të kthehen për të qenë të parët”.

Pique e filloi karrierën e tij si profesionist në Manchester United, ku u transferua nga Barcelona si 17-vjeçar në vitin 2004.

(Kosova Sot Online)