Loriana Kuka, një fitore larg medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror

  • 30 August 2019 - 12:16
Loriana Kuka, një fitore larg medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror

Loriana Kukës i nevojitet vetëm edhe një fitore në ndeshjen e radhës për t’i përsëritur sukseset e Distria Krasniqit dhe Majlinda Kelmendit, duke ia fituar Kosovës medaljen e tretë të bronztë në Kampionatin Botëror “Tokio 2019”.

Në luftën e parë të repesazhit në kategorinë deri në 78 kilogramë, xhudistja kosovare e mposhti xhudisten nga Britania e Madhe, Natalie Powell, e cila e kishte fituar medaljen e bronztë në Botërorin e vitit 2017.
 

Image

Në mesin e 43 fitoreve nga gjithsej 64 ndeshje të zhvilluara, Kuka e ka mposhtur dy herë Powellin në po aq ndeshje të zhvilluar paraprakisht mes këtyre të dyjave. Megjithatë, Powell e pati epërsinë në këtë ndeshje sa i përket rangimit botëror – Kuka është e 13-ta, Powell e shtata.

Image

Xhudistja kosovare pësoi disfatë në çerekfinale kundër brazilianes Mayra Aguilar, duke bërë kështu që t’u japë fund shpresave për medalje të artë ose të argjendtë dhe t’i futet garës për të bronztën.

Kosovarja e kaloi rundin e parë pa luftë, ndërsa në rundin e dytë u përball me gjermanen Luise Malzahn, të cilën arriti ta mposhtë vetëm në kohën “Golden Score”.

Në rundin e tretë, Loriana u tregua shumë e fortë për argjentinasen Lucia Cantero, të cilën e mposhti me ippon.

Image

Megjithatë, rrugëtimi i saj drejt të artës nuk zgjati edhe shumë pasi që në çerekfinale pësoi disfatë.

Loriana Kuka është xhudistja e fundit që po e përfaqëson Kosovën në Kampionatin Botëror Tokio 2019. Përderisa Distria Krasniqi dhe Majlinda Kelmendi i morën medaljet e bronzta në kategoritë e veta, Nora dhe Akil Gjakova e mbyllën rrugëtimin pa medalje.

(Kosova Sot Online)