Solskjaer i përgjigjet Ibrahimovicit: Nëse e ka seriozisht, e ka numrin tim

  • 30 August 2019 - 13:03
Solskjaer i përgjigjet Ibrahimovicit: Nëse e ka seriozisht, e ka numrin tim

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e ka ftuar Zlatan Ibrahimovic ta kontaktojë atë nëse e ka seriozisht për t’u kthyer në “Old Trafford”.

Sulmuesi suedez, që tani luan në MLS për LA Galaxy, insistoi se mund të luajë ende në Premierligë, pas disfatës së “Djajve të kuq” kundër Crystal Palace në ndeshjen e fundit.

Manchester Unitedi nuk ka shumë opsione për fazën e sulmit, pasi që në skuadër i ka vetëm Marcus Rashfordin, Anthony Martialin dhe Mason Greenwoodin – pas largimit të Alexis Sanchezit, i cili shkoi në Interi në formë huazimi.

Ibrahimovici e fitoi Carabao Cup dhe Ligën e Evropës nën drejtimin e Jose Mourinhos në “Teatrin e Ëndrrave”, para se një lëndim serioz ta detyronte atë ta linte futbollin për një kohë dhe më vonë edhe klubin anglez.

Solskjaer nuk beson se një transferim i tillë do të ndodhë, veçanërisht për shkak të moshës së futbollistit, por ai ka thënë se është i gatshëm të flasë me sulmuesin nëse qëllimi i tij për t’u kthyer në Old Trafford është serioz.

“Nëse ai do t’i mbushte 28 e jo 28 vjet muajin tjetër, do të ishte e mundur. Ka një dallim të madh”, ka thënë trajneri norvegjez.

“Zlatan e kaloi një kohë të mrekullueshme këtu, ai është duke bërë punë të mirë, është fat i keq që u lëndua aty. Kush e di, ai ma di numrin, e ka shikuar shtëpinë time. Ne mund ta flasim gjuhën amtare. Nëse e ka seriozisht, gjithmonë do të flas me të”.

“Nuk mendoj se do të ndodhë kthimi i tij në Manchester United. Mendoj se ai veçse e ka pasur kohën e tij në këtë klub. Ai e ka pasur një karrierë fantastike”.

(Kosova Sot Online)