Solskjaer e konfirmon huazimin e Smallingut në Romë

  • 30 August 2019 - 13:06
Solskjaer e konfirmon huazimin e Smallingut në Romë

Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Chris Smalling, është duke udhëtuar në Itali për ta kompletuar transferimin në formë huazimi në Romë, ka konfirmuar trajneri i “Djajve të kuq”, Ole Gunnar Solskjaer.

Anglezi Chris Smalling ka mbetur pa vend në formacionin e Manchester Unitedit, pas transferimit të Harry Maguire nga Leicester City. Ai ende s’e ka bërë asnjë paraqitje në këtë sezon të ri.

Roma ka qenë në kërkim të një qendërmbrojtësi gjatë këtij afati kalimtar të verës, pasi ia shiti Kostas Manolasin Napolit, ndërsa verdhekuqtë shprehën interesim edhe për Dejan Lovrenin e Liverpoolit dhe Daniele Ruganin e Juventusit.

Por, verdhekuqtë do t’i përfaqësojë Smallingu gjatë sezonit të ardhshëm, pasi që Solskjaer ka zbuluar ish-mbrojtësi i Fulhamit ishte nisur qysh të premten në mëngjes drejt Italisë.

“Gjatë ditëve të fundit na erdhi një mundësi e mirë për Chrisin. Ne u ulëm dhe biseduam. Për momentin, i kemi gjashtë qendërmbrojtës, nuk mund t’i premtoja atij minuta lojë, kështu që tani është në aeroplan për atje”, ka thënë Solskjaer.

“Mendoj se ai do ta shijojë këtë përvojë. Është një klub i madh, një ligë e madhe, jo shumë futbollistë anglezë e kanë mundësinë të luajnë në Itali. Ai do të kthehet në formë më të mirë”.

Smallingu e kishte rinovuar kontratën me Manchester Unitedin në dhjetor, e cila është e vlefshme deri në verën e vitit 2022. Megjithatë, mbetet të shihet nëse ai do të ketë të ardhme në klub.

Gjithsej, ai i ka bërë 323 paraqitje për 20-herë kampionët e Anglisë, që kur iu bashkua atyre në vitin 2010 nga Fulhami. Gjatë kësaj kohe, ai i shënoi 18 gola.